Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është takuar me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, pas përfundimit të sesioneve të diskutimeve në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit.
Gjatë takimit, dy liderët diskutuan për çështje që lidhen me sigurinë, rritjen ekonomike dhe migracionin.
Kurti theksoi rëndësinë e rolit të Britanisë së Madhe në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe paqes.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti dhe Starmer biseduan edhe për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit dhe përkrahjes në fusha me interes të përbashkët si energjia, siguria dhe mbrojtja, infrastruktura dhe arsimi.
“Kryeministri Kurti veçoi bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, gjersa vendi ynë po vazhdon investimet në këtë drejtim. Kryeministri Kurti falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për lajmin se Forcat e Armatosura të Britanisë së Madhe do të vazhdojnë mbështetjen për misionin paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë, KFOR-in, për të paktën edhe tre vjet, si dhe për thirrjen e djeshme në seancën e OKB-së për njohjen e Kosovës nga shtetet anëtare dhe për dorëzimin e terroristit Radoiçiq nga ana e Serbisë, i cili vijon të mbetet i lirë pas sulmit terrorist në Banjskë duke përbërë rrezik për sigurinë”, thuhet në njoftim.