Hajrullah Tërnava
Deklarata e Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është tepër serioze dhe alarmante, sipas të cilit thuhet se pasurinë më të madhe të pronave të shtetit e kanë uzurpuar dhe përvetësuar të fortit e politikës, ish KOMANDANTËT dhe grupet e lidhura përreth tyre. Nëse duamë ta spastrojmë këtë vend nga krimi dhe korrupsioni, gjithsesi duhet të përdoret Ligji për Konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme, për kthimin e pasurisë së shtetit të uzurpuar nga grupet kriminale të mafio-politikës përgjatë dy dekadave të kaluara.
-Të gjitha të dhënat që po bëhen publike së fundi, rreth pasurisë së humbur të shtetit, pasurisë së paluajtshme që ka të më me prona, po del se ajo pasuri përveç uzurpimit i është nënshtruar tjetërsimit dhe “privatizimit” të dhunshëm kundërligjor. Vetë ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka theksuar se shpronësimi është problem i madh me të cilin përballen institucionet në Kosovë, duke përmendur problemin e mungesës së një mekanizmi që vlerëson të gjitha anët e planifikimit hapësinor dhe atë të shpronësimit të pronave.
Për këtë ka thënë se pronat janë marrë “nga të fortët” dhe tani ato janë tjetërsuar por nuk ka mekanizëm ligjor për kthimin e tyre. Për këtë arsye ai ka thënë se është i domosdoshëm rishikimi Ligji për Planifikim Hapësinor, i cili po vlerësohet të jetë ambicioz në raport me përmbushjen e kërkesave ligjore nga ana e komunave dhe kapaciteteve të tyre sepse reforma e bërë në të kaluarën, lë shumë për të dyshuar që ka mundur të bëhet nga grupe të dyshimta kriminale të interesit të lidhura me mafio politikën. Ministri me të drejtë ka shprehur dyshimin se edhe ligjet janë abuzuar për të uzurpuar, prandaj ka pyetur se kush e ka bërë reformën tek ne, a kanë qenë të përfshira institucionet tona në këtë reformë?
Dhe konstatimi ka qenë Jo. Edhe departamenti edhe instituti kanë qenë vetëm vëzhgues në këtë reformë. Kjo lë të nënkuptohet që është e dyshimtë, pasi ka sjellë tek një vendim shumë i madh pa një hulumtim kredibil. Është gabuar rëndë atëherë. Sot, nuk duhet të përsëritet i njëjti gabim.
Prandaj tash me të drejtë shtrohet nevoja që të bëhet një hulumtim serioz pasi edhe vetë ministri thotë se ka qenë kundër këtij ligji, për të cilin presioni që ka qenë i papërballueshëm dhe tash problem kryesor është shpronësimi. “Ne nuk kemi prona komunale, ato i kanë marrë të fortit, komandantët, me rëndësi do të fortë të cilët i kanë marrë.
Problemi është qysh me e zgjidh këtë”, ka thënë ministri Liburn Aliu. Prandaj këtu po shihet ashiqare se për tu spastruar nga të këqijat që i kanë ndodhur këtij duhet të fillon hetimi i prejardhjes së pasurive milionëshe nga politikanët e këtyre dy dekadave, që si biznesmen të lidhur me oligarkët e inkriminuar, që kanë krijuar pasuri pikërisht nga pronat publike që i kanë uzurpuar dhe tjetërsuar, ashtu siç e thekson dhe e zbulon në këtë rast edhe vetë ministri.
Ky është edhe një fakt tjetër në dorë të ndërkombëtarëve të cilët me të drejtë po kërkojnë fokusim më të përqendruar, serioz kundër krimit, me fuqizimin e sundimit të ligjit, sikur kërkesa e fundit që ju bë në formë ultimative Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, nga Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë EULEX, z.Lars-Gunnar Vigemark i cili në një takim të zhvilluar gjatë ditës e theksoi nevojën për kapacitete shtesë në punën hetimore për rastet e korrupsionit, terrorizmit si dhe për bashkëpunimin ndër-institucional ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë për ta avancuar punën e prokurorisë në hetimin dhe zbulimin e krimit i cili ka metastazuar dhe është zhvilluar pa pengueshëm për këto dy dekada.
Nëse në këtë mënyrë fillohet luftimi i krimit dhe korrupsionit nëpër institucionet e Kosovës, qofshin si kryes të këtyre krimeve edhe të „ fortit-komandantët“ që i kanë krye ato krime, atëherë në një të ardhme jo të largët mund të llogaritet së Kosova e ka shansin dhe shpresat për tu spastruar nga këto krime të deritashme që iu kanë bërë këtij vendi, dhe padyshim se një spastrim i tillë do ia hapte rrugët Kosovës për rrugëtimin e saje drejt BE, sepse ketë në të vërtetë po e kërkon BE, dhe kësaj Qeverie në pushtet, do ti rritet autoriteti në opinionin kosovare, dhe shumë vite tjera do e qeverisë këtë vend si Qeveria ma e suksesshme deri më tani, dhe ndoshta ma e suksesshmja e të gjitha kohërave në histori”.