Gjatë javës së kaluar, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dekretoi kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, si mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Ky është mandati i tretë që Vjosa Osmani i jep Albin Kurtit për të udhëhequr ekzekutivin.
Mandatimi vjen pas propozimit zyrtar nga Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.
Pas mandatimit nga Osmani, sipas Kushtetutës, Kurti ka afat 15 ditë për të paraqitur para Kuvendit përbërjen dhe programin e qeverisë për miratim.
Por një formim të shpejtë të qeverisë nuk po pret njohësi i proceseve zgjedhore dhe analisti Blerim Burjani.
Sipas tij, Kurti do të ketë problem sigurimin e 61 votave, aq sa i duhen për t’u zgjedhur përsëri kryeministër.
“Jo, nuk pres formim të shpejtë të qeverisë. Qysh në fillim humbën 5 ditë, mbeten dhjetë ditë. Ka probleme serioze për të siguruar votat për të u zgjedhur qeveria e re, gjasat në këtë fillim duken zero. Të shohim nëse do të kemi ndonjë lëvizje më serioze apo përpjekje më serioze për të lidhur ndonjë koalicion me dikë në opozitë. Tashmë kanë mbetur AAK dhe NISMA,” thotë Burjani.
Sipas tij, shpresat e VV-së janë tek votat e AAK-së.
“Mjafton që Ramushi të pajtohet me ndonjë marrëveshje, nëse jo, s’ka gjë. Vetëm 25 ditë janë në dispozicion – ose qeveri, ose zgjedhje, s’ka më asgjë. Afati ka filluar dhe nuk mund të ndalet,” thekson Burjani, i cili paralajmëron zgjedhje të reja.
“Deri në zgjidhje ose në zgjedhje të jashtëzakonshme, VV duhet të deklarohet sinqerisht se nuk i ka numrat dhe të shkojë në zgjedhje. As opozita nuk do qeveri, atëherë s’ka gjë, shkohet në zgjedhje,” deklaron Burjani.
“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja, pres rritje të VV-së për 3%, ngritje në rezultat të opozitës LDK e PDK. AAK mund të mos kalojë as pragun zgjedhor dhe NISMA, mbeten në lojë VV, PDK dhe LDK,” përfundon analisti Blerim Burjani.