Autori i një EXIT POLL-i të publikuar të dielën në T7, Baton Haxhiu tha se ‘votuesi’ i deklaruar si i LDK-së në matjet për Mitrovicën, dezertoi dhe votoi Vetëvendosjen.
Haxhiu, EXIT POLL-i i të cilit e vendosi Arian Tahirin e PDK-së si fitues pa balotazh në Mitrovicë, tha se të anketuarit nuk e kanë treguar të vërtetën.
Ai u shpreh se huqjet e EXIT POLL-it janë në disa lagje dhe fshatra të Mitrovicës.
“Huqjet janë në katër lagje që derisa ishim këtu unë i hulumtova të gjitha lagjet ku janë huqjet dhe ato huqje janë për shkak të elektoratit të LDK-së. LDK-ja në Mitrovicë pothuajse është shuar. Deklarimet kanë qenë ndryshe nga ato që janë votuar”, tha ai.
Haxhiu tha se huqjet janë në fshatrat e Shalës dhe disa vendbanime të tjera në këtë komunë.
Haxhiu insistoi se votuesit e LDK-së kanë “dezertuar”.
“Se kush ka ndikuar që votuesit e LDK-së të dezertojnë; të deklarohen si LDK dhe më pas të mos votojnë, atë nuk e di – ata duhet të tregojnë”, theksoi Haxhiu.