Manaj deklarohet pas golit historik ndaj Serbisë, tregon pse festoi me shqiponje: Dita më e lumtur e jetës sime

Rey Manaj ishte më i kritikuari pas ndeshjes me Serbinë në Tiranë, pas atij 11-metërshi të humbur.

Por ishte pikërisht ai që u kthye në hero në Leskovac, duke shënuar golin e vetëm që i solli Shqipërisë fitoren historike.

Në një deklaratë sulmuesi shqiptar tha:

“Është një nga ditët më të bukura, i respektoj komentet pas ndeshjes së parë, por gjithashtu mendoj se disa nuk i meritoja, sepse kemi fëmijë, kemi familje. Por e rëndësishme është fitorja që e meritojnë të gjithë shqiptarët.

Isha shumë i lodhur dhe në pjesën e parë mora një goditje me taka, por jam shumë mirë. Edhe Mirlindi u fut dhe luajti shumë mirë, si dhe të gjithë çunat e Shqipërisë që dhanë gjithçka në fushë.

Pasi bëra gol, nuk kuptova asgjë, thjesht festova me çunat sepse isha i lumtur. Unë festova me Shqiponjën sepse ashtu e ndjeva.”