Dronët që e ‘çmendën’ Vuçiqin — çfarë fshihet pas Skydagger? Ekspertët zbulojnë detaje

Të mërkurën kanë arritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në Prishtinë, kontejnerë me mijëra dronë kamikazë Skydagger.

Për këtë ka njoftuar, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka thënë se dhjetëra efektivë të FSK-së janë trajnuar tashmë për përdorimin e tyre.

Ai ka shtuar se kontrata me kompaninë turke Baykar u nënshkrua në dhjetor; dorëzimi ishte planifikuar për janar 2026, por u realizua tre muaj më herët. Dronët, së bashku me TB2 Bayraktar dhe Puma, do të forcojnë kapacitetin goditës të ushtrisë; ato u transportuan me kamionët Rheinmetall 8×8 (15 në total, 10 të blerë, 5 donacion).

“Kontejnerët me mijëra dronë luftarakë kamikazë Skydagger mbërrinë sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Dhjetëra ushtarakë të FSK-së tashmë janë trajnuar për përdorimin e tyre.

Kontrata është nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar me Kompaninë e mirënjohur turke Baykar, që është kompani amë e prodhuesit Skydager. Dronët Skydagger ishte planifikuar të mbërrijnë në janar 2026, por i morëm tre muaj më herët. Këta dronë kamikaz të njohur edhe si FpV të tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger të prokuruar nga ne janë dronë luftarak të pajisur me mjete shpërthyese me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut.

Me blerjen e këtij kontingjenti të fluturakeve pa pilot, krahas TB2 Bayraktar dhe fluturakeve Puma po vazhdojmë të ngrisim dhe shtojmë fuqinë goditëse të ushtrisë sonë me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore.

Dronët u ngarkuan në kamionët multifunksional Rheinmetall 8×8 që i patëm marrë vitin e kaluar, 15 sosh gjithsej, 10 të blera nga ne dhe 5 donacion”, ka shkruar Kurti.

Detaje rreth dronëve, paralajmërim për provokim e tensione

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, ka dhënë informacione rreth këtyre dronëve, duke i cilësuar ato si një hap cilësor.

ImageEksperti i sigurisë, Fatjon SoftaFoto galeri
“Skydagger janë armë taktike, të njohura si dronë kamikazë, të afta për zbulim, ndjekje dhe goditje me precizion të lartë të objektivave. Skydagger, në ndryshim nga dronët Bayraktar TB2, janë më të vegjël, më të shpejtë dhe më të vështirë për t’u detektuar. Ato janë të afta për sulme kundër objektivave të blinduara ose infrastrukturës në terren. Ato mund të përdoren nga një skuadër e vogël mobile, s’kanë nevojë për pista, kanë reagim të shpejtë, kosto të ulët dhe operojnë në mënyrë autonome me koordinata të paracaktuara, duke i dhënë FSK-së kapacitet goditjeje të menjëhershme në terren. Këto dronë novatorë janë një hap cilësor në kalimin nga mbrojtja statike në mbrojtje aktive dhe asimetrike, duke mos e ekspozuar forcën njerëzore në rrezik të drejtpërdrejtë. Kjo teknologji ka efekte reale në terren dhe mund të ndryshojë ekuilibrat në rajon”, deklaron Softa.

Sipas tij, dronët fuqizojnë kapacitetet mbrojtëse të FSK-së.

“Serbia, e cila disponon dronë kinezë, e sheh këtë zhvillim me shqetësim, duke e perceptuar si një balancim të forcave në terren. Kjo mund të rrisë tensionet dhe të nxisë rritjen e kërkesave nga Kina dhe Rusia për mbështetje ushtarake dhe teknologjike ndaj Serbisë. Rritja e shqetësimit dhe reagimit nga Serbia mund të ketë edhe reagime ndërkombëtare.

SHBA dhe NATO e kanë miratuar paraprakisht këtë fuqizim, për aq kohë sa është në funksion të mbrojtjes, dhe nuk pritet ndonjë kundërshtim i hapur. Edhe BE, megjithëse e kujdesshme, ka dhënë sinjale pozitive, por mund të kërkojë më shumë transparencë, për të shmangur perceptimin e një gare armatimi në një rajon ende të trazuar si Ballkani Perëndimor. Këto dronë Skydagger fuqizojnë kapacitetet mbrojtëse të FSK-së, modernizojnë strukturën e saj dhe rrisin ndjeshëm aftësitë operacionale në terren”, pohon eksperti.

Forcimi i kapacitetet të reja të FSK-së është një lëvizje strategjike, por sipas Softës, mund të shoqërohet me tensione dhe provokime të reja.

“Ky zhvillim vjen në një moment delikat, kur Kosova përballet ende me pasiguri politike, ndërsa Evropa është e tensionuar nga rritja e provokimeve të Rusisë dhe afrimi me Kinën. Në këtë kontekst, forcimi i krahut juglindor të NATO-s përmes kapaciteteve të reja të FSK-së është një lëvizje strategjike, por mund të shoqërohet me tensione dhe provokime të reja, sidomos tani që Aleksandar Vuçiq ndodhet në pozita të brishta në politikën e brendshme, dhe mund ta përdorë këtë situatë për përfitime të brendshme politike. Nga ana teknike, këto dronë kanë aftësi të admirueshme: lëvizin me shpejtësi deri në 130 km/orë, me rreze veprimi deri në 10 km, dhe autonomi fluturimi deri në 36 minuta. Me Skydagger, së bashku me Bayraktar TB2 dhe fluturaket Puna, Kosova ka rritur ndjeshëm aftësinë e saj goditëse dhe mbrojtëse, duke hyrë në një epokë të re të mbrojtjes së sofistikuar teknologjikisht”, shton Softa.

Këta dronë kanë ‘nervozuar’ presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili i ka reaguar Turqisë.

Ai ka akuzuar Turqinë se ëndërron rindërtimin e Perandorisë Osmane dhe se nuk është e interesuar për stabilitet.

Por, ndaj tij ka reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Në të njëjtën ditë që Presidenti Trump vlerësoi Turqinë dhe Presidentin Erdogan për lidershipin e tyre të shquar në promovimin e paqes dhe sigurisë globale, Vuçiq po sulmon pa turp Turqinë, një vend që, si shtet anëtar i NATO-s, po na ndihmon të mbrojmë paqen”, ka shkruar Osmani.

Tutje presidentja ka thënë se Vuçiq po nxitë bashkëpunimin mbrojtës me Rusinë, Kinën e Iranin.

“Jam krenar që kam punuar ngushtë me Presidentin Erdogan, një njeri të fjalës së tij, i cili gjithmonë ka treguar kujdes të thellë dhe të sinqertë për të gjithë njerëzit e rajonit tonë dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e stabilitetit, sigurisë dhe mbrojtjes. Ndërkohë, Vuçiç duket se beson se mund të kërcënojë një vend të madh të NATO-s si Turqia në të njëjtën mënyrë siç kërcënon vendet fqinje. Në vend që të bashkëpunojë ngushtë me shtetet anëtare të NATO-s, ai nxit bashkëpunimin mbrojtës me Rusinë, Kinën dhe Iranin”, shkruan në vazhdim Osmani.

Presidentja e Kosovës shton se vendi do vazhdojë të forcojë lidhjet me aleatët e NATO-s.

Rëndësia, ‘nervoza’ e Serbisë dhe reagimet e ndërkombëtarëve

ImageArben DashevciFoto galeri
Për rëndësinë e dronëve, ka folur edhe eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, i cili thotë se rëndësia e këtyre dronëve është shumë e madhe dhe strategjike.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Dashevci thotë se Serbia është kundër çdo procesi në Kosovë, por nuk duhet ndalur çka mendon ajo.

“Republika e Kosovës po forcohet në vazhdimësi me teknikën e saj që t’i përmbushë kapacitetet e saja të plota operacionale, rëndësia e tyre është shumë e madhe dhe strategjike sepse dronët kamikaz Skydagger shfrytëzohen për forcimin e kapaciteteve goditëse të FSK-së në rast sulmi dhe se ndryshojnë nga sistemet ekzistuese si Bayraktar ose Puma, janë të lehta të shpejta dhe lëvizëse, qëndrojnë në ajër 36 min dhe bartin peshë deri në 5 kg me manovrim 10 km, pra të saktë, të shpejtë dhe efektivë mendoj unë. Serbia është kundër çdo procesi në Republikën e Kosovës por te ne proceset nuk ndalen pa marrë parasysh se çka mendon Serbia dhe nuk mund të ndikojë ky furnizim në marrëdhëniet rajonale me Serbinë sepse ne nuk kemi asnjë marrëdhënie me të”, deklaron Dashevci.

Ai shton se ky furnizim nuk do të ketë ndikim negativ te ndërkombëtarët.

“Nga Serbia kemi pasur dhe kemi vetëm të këqija në aspekt sigurie. Ata janë destruktivë kundër çdo procesi te ne, kurse ne si Shtet mendoj unë jemi të fokusuar në mbrojtje dhe lajmi i mirë është se Kosova po forcohet si shtet kjo ka rëndësi. Vorbullat e sigurisë globale po afektojnë edhe te ne sepse Serbia është trampolinë e Rusisë. Ashtu si Rusia në botë, edhe Serbia në Ballkan po vazhdon me luftën e egër hibride, propagandë, dezinformime, shantazhe, joshje dhe sabotime por unë nuk e shohë asnjë rrezik të përshkallëzimit ushtarak për shkak të përforcimit të kapaciteteve tona goditëse, sepse NATO me misionin e saj është në Kosovë dhe kjo na mjafton. Mendoj se nuk do të ketë ndonjë ndikim negativë te ndërkombëtarët ky furnizim sepse ne po furnizohemi nga shtetet anëtare të NATO-s dhe NATO është në Kosovë që do të thotë se nuk ka asnjë problem ose reagim. Gjithçka te ne si Shtet është legale, ligjore dhe legjitime dhe monitorohet mu nga bashkësia ndërkombëtare Është Serbia ajo që furnizohet nga Rusia dhe Kina, kjo paraqet problem për atë Shtet”, përfundon Dashevci.