“Fatmir Sheholli, regruter”, kështu shkruhet në një nga shënimet të cilat i mbante në telefon Muharrem Qerimi, i akuzuari për spiunazh nga autoritetet e Kosovës.
Muharrem Qerimi, 58-vjeç, është një ish-zyrtar i Policisë së Kosovës i cili u arrestua nën dyshimet për spiunazh në fillim të qershorit të vitit 2024.
Qerimi ka punuar në polici deri në vitin 2006. Dy vitet e fundit edhe si hetues i Krimeve të Rënda në Stacionin Policor në Ferizaj. Nga viti 2012, ai dyshohet se ka kryer aktivitete të spiunazhit. Dyshohet se ka punuar për Serbinë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Qerimi dyshohet se i kanë dhënë informacione Shërbimit Sekret Serb (BIA) mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Qerimi nuk e ka pranuar fajësinë në gjykatë.
Prokuroria ka zbuluar mesazhe telefonike të tij me një zyrtar të lartë të BIA-s, si dhe një dosje të emërtuar ‘Notes’ të cilat përmbajnë shënime nga telefoni i të dyshuarit.
Dosja u publikua në mars të këtij viti.
Në këtë dosje janë evidentuar 40 shënime me informata të rëndësishme, sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori special Bekim Kodraliu.
“Fatmir Sheholli, regruter, veton elshani, kompjuter i dhuruar për identifikimin e personav”, thuhet në një nga shënimet në telefonin e Qerimit.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se shënimi për Shehollin dëshmon se Qerimi ka grumbulluar informata për persona të përfolur në media për spiunazh.
“Nga ky shënim, vërtetohet fakti se i pandehuri ka mbledhur shënime për persona të përfolur në media për spiunim, e po ashtu edhe për zyrtar policor”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Pothuajse 25 vjet paslufte, ish-pjesëtari i Sigurimit Shtetëror të Serbisë (UDB) gjatë viteve ’90, Fatmir Sheholli është arrestuar të enjten në Prishtinë nën dyshimin për spiunazh.
Arrestimi i tij është kryer nga Prokuroria Speciale, nën asistencën e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tha sot Prokuroria në një njoftim për media.
Lajmin për arrestimin e tij e konfirmoi edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh”, tha Sveçla në një postim në Facebook.
Sveçla tha se pret trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, “i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues”.