LVV në Prishtinë, Kurti: Çeku është shansi i Prishtinës

Prishtinë ka nevojë për qeverisje të re dhe nga dikush që e njeh kryeqytetin dhe telashet e tij. E ky person, sipas Albin Kurtit, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, është Hajrulla Çeku, kandidat i kësaj partie për kryetar komune. E Çeku në fjalën e tij, tha se ka projekte konkrete për të rregulluar trafikun, ndërtimet, e hapësirat publike.

Në fushatën elektorale të mbajtur në Prishtinë, drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se me qeverisjen e Hajrullah Cekut, kandidatit të kësaj partie për kryetar të Prishtinës, do të ketë përmirësim në infrastrukturë, investime e mundësi për të rinjtë si dhe përkrahje për gratë.

“Kemi nevojë për diçka të re, e ajo që është e re është numri 105 e Hajrullah Çeku. Prishtina tashmë e ka një shans të artë e ky shans është Hajrullah Çeku, është njeri i cili e njeh Prishtinën më mirë se kushdo, është njeri i projekteve te prekshme, e ka qytetarin ne mendje e shërbimin në zemër, si ministër çdo punë që e ka, e çon deri në fund”, tha Kurti.

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrullah Çeku premtoi se do të jetë në shërbim të qytetarëve, të cilët tha se janë prioriteti i tij.

“Është e obligueshme t’i zgjidhim të gjitha problemet e Prishtinës. Duhet vizion guxim e këto i ka LVV e do t’i ketë edhe me qeverisjen ne kryeqytet. Njëherë planifikim pastaj realizim, ne kemi nevojë për ndërtim. Ne i shohim ndërtuesit si mbështetës. Por ndërtimi do të jetë me planifikim që lagjet tona t’i kemi të shfrytëzueshme e të jetojmë si në një kryeqytet evropian, jo vetëm ta bëjmë gjumin aty por te kemi parqe, hapësira publike. Trafiku duhet të lëvizë, rrugët duhet të jenë të ndriçuara, hapësirat tona duhet të jenë të jetueshme”, tha Çeku.

Ndërkaq, Jeta Statovci, bartësja e listës për Kuvend Komunal nga lista ‘Guxo’ tha se me 12 tetor, qytetaret e Prishtinës duhet t’i kthejnë qytetit shkëlqimin, e kjo sipas saj bëhet vetëm me qeverisjen e Hajrullah Çekut.