“Sulmet ndaj Kurtit të orkestruara”, Zeqiraj ‘shpërthen’ me akuza: Përmend me emra politikanët që po punojnë kundër Kosovës!

Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një prononcim për “Bota sot” foli mbi tensionet aktuale në skenën politike vendore, duke e vendosur në qendër të debatit kryeministrin Albin Kurti dhe raportet e tij me opozitën vendore, si dhe me faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Së pari, ai tha se sulmet ndaj Kurtit, janë sulme ndaj popullit të Kosovës, pasi ai me partinë e tij LVV, për tri herë radhazi kanë dalë fitues.

“Nga disa politikanë dhe diplomatë amerikanë dëgjojmë të thonë se problem është kryeministri Albin Kurti dhe jo populli i Kosovës. Por, zotërinjtë në fjalë harrojnë se Albin Kurtin dhe LVV e tij, për të tretën herë radhazi është parti fituese, duke vjelur vota më shumë se sa të gjitha partitë tjera shqiptare, të marra së bashku! Pra, Kurti, zyrtarisht e ligjërisht, përfaqëson popullin e Kosovës. Dhe, të jesh kundër Kurtit, siç ka qenë dhe është Grenell në 5 (pesë) vitet e fundit, duke e sulmuar, me gojë dhe shkrim, nga Amerika e largët, rrjedhimisht, është sulm kundër popullit të Kosovës”, nënvizoi ai.

Sipas Zeqirajt, kritikat dhe sulmet ndaj Kurtit, janë të orkestruara nga opozita në Kosovë dhe Edi Rama.

Ai konsideron se, krejt akuzat e tyre i janë hedhur poshtë, pas vizitave të fundit të liderëve shtetëror në SHBA.

“Në kritikat, sulmet, sharjet në adresë të Kurtit, janë bashkuar opozita vendore, humbëse serike të zgjedhjeve, lukunia lehaqene mediatike e kapur nga oligartët në Prishtinë dhe Tiranë, Edvin Rama me social-komunistët e tij, si dhe Vuçiq e Putin, me agjentët e tyre shqipfolës, të cilët veprojnë legalisht me agjencitë televizive, madje edhe në debatet publike në Kosovë dhe Shqipëri, me një koordinim perfid kundra-kombëtar

Orkestrimi i “tragjizmit”, i trumbetuar nga opozita, tashmë, e dalë boje, për pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik Kosovë-SHBA, e relativizoi vizita në SHBA e Presidentes Osmani, e kryeministrit Kurti dhe e zëvendëskryeministres, njëherësh ministre e Jashtme dhe e Diasporës, Donikë Gërvalla. Mediat e shkruara dhe pamore, kanë pasqyruar takimet e bollshme, herë-herë, të cenzuruara, të Presidentes, Kryeministrit, ministres të Jashtme, me personalitete të të gjitha niveleve, deri edhe me Presidentin Donald Trump”.

Gjithashtu, publicisti nga Gjermania, tha se, kundërshtarët politik të Kurtit po i gëzohen sanksioneve dhe vendimeve kundër Kosovës.

Në këtë rast, përmendi me emra disa nga politikanët më të zëshëm kundër kryetarit të LVV-së.

“Ndoshta, është rast unik, që një opozitë, si kjo e tanishme, t`i gëzohen ndëshkimit të, qoftë edhe në dëm të shtetit të Kosovës, siç janë sanksionet nga BE-ja dhe, së fundi, pezullimi i Dialogut të planifikuar Strategjik Kosovë-SHBA. Shpërthimi histerik, madje koral, i opozitës me anatema ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe LVV të tij, edhe pse arsyetimi ndëshkues çalonte shumë dhe mbrojtja dijitoze e Kurtit se “nuk mund të bëjë kompromise me sundimin e ligjin në veri”. Me veprimet ligjore në veriun e vendit, mbroj “demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial”, ishte përgjigje e pranueshme dhe demantim bindës, në akuzat sa të rënda, aq edhe të padrejta dhe hiç reale.

Për çudë, në mesin e akuzuesve më të zëshëm dhe skajshëm të egër, ishin edhe Isa Mustafa, Vlora Çitaku, Edita Tahiri, “si plaka në kacë”, kur dihet se Kurti dhe shqiptarët, sot po i vuajnë “xhevahiret” e djeshme, pikërisht, të këtij trinomi të zi, të cilët, me të “bëmat” e tyre, ia bënë gjëmën Kosovës.

Isa Mustafa, me Hashimin e nënshkruan “Zajednicen”, kancer të Kosovës dhe së bashku me Ramush Haradinaj vulosen Demarkacionin, duke humbur 8.200 hektarë tokë të Kosovës!” – nënvizoi Zeqairaj.

Më tej, ai tha se partitë e PAN-it u marrosën kinse për prishtjen e raporteve SHBA-Kosovë, ndonëse një gjë e tillë nuk ndodhi.

Për këtë, ai kishte edhe disa kritika për Çitakun e Tahirin dhe politikat e tyre ndër vite në raport me ndërkombëtarët.

“Edita Tahiri, kryenegociatore e Dialogut namkeq, mashtronte popullin e Kosovës dhe shqiptarët e kudondodhur, së bashku me Hashimin e shantazhuar me dosje penalizuese se “po bëjmë vetëm dialog teknik”, ndërkohë që bënin dialog “puro” politik dhe firmosnin marrëveshje fatale për Kosovën, me arsyetimin se “shkrihen si fluskë sapuni”!

Ish-ambasadorja, Vlorë Çitaku, tej Oqeanit, së bashku me Hashimin, ish-president, lobonin, madje me pagesë, për ndarjen e Kosovës! Ishte diplomatja boshnjake, Sabina Çudiç, e cila “e zuri me pelë për dore”, në lobim e sipër, duke e denoncuar tradhtinë zyrtare të saj koketimin me Serbinë, për ndarjen e Kosovës!

Opozita, sidomos ajo PAN-iste, u marros fare, se, gjoja, prishja me SHBA-në është me fund dhe karriera politike e Kurtit, tashmë, mbaroi! “Po sorollatën koridoreve Presidentja, Kryeministri, ministerja e Jashtme dhe askush nga zyrtarët amerikanë nuk po i takon”, – çirrej e përralliste i mërdhezuri deri ke veshët, Halil Matoshi, me lukuninë lehse të anal-banalisteve mercenarë të mediave të PAN-it shpifarak e kriminal”, shtjelloi Zeqiraj.

Ndër të tjera, publicisti shtoi se, opozita duhet t’iu kërkojë fajle liderëve shtetëror për shpifjet dhe akuzat e tyre, pas vizitave të këtyre të fundit në SHBA.

“Entuziazmi i turpshëm i opozitë marroqe u shua, kur krerët shtetërorë e pushtetarë realizuan takime domethënëse, me zyrtarë dhe personalitete të larta amerikane dhe botërore, duke kulmuar me takimin protokollar me Presidentin Donald Trump.

Opozita e turpëruar, të paktën, duhet t`u kërkojnë falje drejtuesve shtetërorë dhe shqiptarëve vendorë dhe të përbotshëm, për shpifjet dhe sharjet pa doganë fare. Mjerisht, askush nuk vdiq nga turpi!

Fatmirësisht, Amerika zemër madhe, sërishmi, hapi dyert për Kosovën mike, të sinqertë dhe besnike”, përmbylli Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.