Shqiptarë që nuk dorëzohen dhe ata që dorëzohen!

Ish-presidenti amerikan i luftës dhe fitores në Kosovë, Bill Clinton, gjatë një veprimtarie në New York me pjesmarrjen e qindra personave e në krah të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, thotë: “Shumë njerëz mendonin se isha i çmendur kur u angazhova në Kosovë, por e dija se kosovarët nuk dorëzohen kurrë”! E përkthyer në gjuhën shqipe, gjithnjë për ata që mendojnë gjithashtu shqip, kjo deklaratë dëshmon se vendimi i ish-presidentit Clinton për të urdhëruar sulmet ajrore të NATO-s kundër Serbisë e për çlirimin e Kosovës janë diktuar edhe nga fakti se “kosovarët nuk dorëzohen”. Pra se ata ishin e janë të gatshëm të sakrifikojnë për lirinë dhe shtetin e tyre. Mesazhi “të mos dorëzohesh”, na vjen sërishmi si mjet shpëtimi për popullin dhe shtetin e Kosovës. Madje nga njeriu më i pushtetshëm i globit në atë kohë. Po nga buronte kjo bindje e tij?

Këtë na e zbuloi në dëshminë e tij në Hagë pro Hashim Thaçit, ish-ndihmës sekretari i Shtetit Amerikan i kohës së Clinton, James Rubin, kur tha se “Rugova nuk bënte kompromise”, pra se presidenti historik i Kosovës “ishte kokëfortë”! Dhe kjo për të arsyetuar faktin se ai dhe shefja e tij, Ollbright, kishin zgjedhur Thaçin si njeriun e kompromisit. Pra, ishte vendosmëria dhe këmbngulja e Ibrahim Rugovës për të realizuar shtetësinë e Kosovës, pavarësinë e saj të plotë nga Serbia, ajo që e kishte bindur Bill Clinton të besonte se “Kosovarët nuk dorëzohen”. Se ata do të luftonin deri në lirinë e plotë të tyre. E kjo luftë e “kosovarëve”, pra e shqiptarëve në Kosovë, rrezikonte më pas stabilitetin, paqen dhe sigurinë në Europë. Në këtë rast mësojmë gjithashtu se ndihma amerikane e vitit 1999 erdhi njëkohësiisht falë asaj se jemi në zemër të kontinetit europian. Nëse do ishim diku në Azi, apo jashtë Europës, nuk do të kishim mbrojtjen e askujt.

Po a janë të gjithë kosovarët (shqiptarët) nga ata që “nuk dorëzohen”? Rasti i kompromisaxhiut Thaçi, siç na e thotë Rubin, na përkujton se atëherë, sot e mot do të ketë shqiptarë “që dorëzohen”, që janë të gatshëm për kompromise. Madje deri aty sa t’i gënjejnë shqiptarët se psh “Mitrovica nuk do të ndahet”, e ndërkohë të punojnë për ndarjen e saj te Ura e Ibrit. Ose deri te angazhimi dhe lobimi për ndarjen e Kosovës.

Edhe sot skena mediatike shqiptare, sidomos në Kosovë, është e klasifikuar në dy grupime të mëdha: – Në njërën anë ata që luftojnë fort dhe nuk dorëzohen për ta mbrojtur tërërsinë territoriale dhe për ta realizuar shtetësinë e plotë të Kosovës. Dhe nga ana tjetër ata që “dorëzohen” pa kushte, përhapin panik dhe predikojnë kapitullimin para Serbisë. Kur Albin Kurti në vitin 2020, sapo ishte bërë kryeministër, thoshte se “Më thirri presidenti Thaçi dhe më tha “Hajde Albin të shkojmë bashkë në Uashington dhe ta nënshkruajmë marrëveshjen (për ndarjen e Kosovës) e ta heqim qafe Serbinë””, na pati paralajmëruar se skena mediatike e politike do të ishte e tillë, çfarë ajo është sot. Madje edhe shoqëria civile do të ndahen në këto dy grupime. Të shumtët për “kompromise”, të paktët për “të mos u dorëzuar”!

Para tri ditësh isha në Top News (Top Chanel) në debat me një “politolog” nga Prishtina, siç e prezantoi moderatorja. Ai foli për “bindje” ndaj Amerikës dhe kërkesave të saj. Tha se “pa Amerikën Kosova nuk ekziston”, etj. Unë theksova atë që thoshte Clinton, duke përçuar mesazhin se “Nuk duhet të dorëzohemi” dhe kësisoj ta kthejmë Amerikën krejtësisht në favorin tonë! Por zoti Arifi më pas më shtroi pyetjen, siç tha, hipotetike: – Çfarë do të thonit ju, nëse Amerika vendos t’ia japë veriun e Kosovës Serbisë? Kush do ta ndalojë atë? Këtu nisi sherri midis nesh. Në fakt midis konceptit që shpreh Clinton për të mos u dorëzuar dhe konceptit të personit në fjalë për t’u dorëzuar përballë presioneve amerikane, europiane, serbe e ruse, a çfarçdo qofshin. Dhe nuk ishte hera e parë që ndeshem në një narrativë të tillë, çfarë e dëshiron Serbia. Para dy vitesh të njëjtin debat kisha bërë me gazetarin provokativ, Lirim Mehmeti, në Euronews Albania. Ndërkohë që kam dëgjuar nga shumë të tjerë narrativën e kapitullimit përballë presioneve të Serbisë, me qëllim që “paqësisht” dhe “me vullnetin e lidershipit të Kosovës” të firmoset ndarja e Kosovës.

Kësisoj janë kristalizuar tashmë dy kampe, dy grupime, të përbërë të dyja nga shqiptarë, por që njëra palë mendon e beson shqip dhe tjetra serbisht nën maskën e amerikanizmit. Ata që mendojnë dhe besojnë shqip dallohen lehtë nga pala tjetër. Çfarë kam parasysh me këtë?

Kush flet, mendon dhe beson shqip denoncon genocidin serb në Kosovë, si dhe përpjekjet e sotme të Serbisë për destabilizimin e Kosovës e të rajonit. Vjosa Osmani e bëri në mënyrë brilante këtë detyrë në të gjitha takimet, veprimtaritë dhe bisedat e saj në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, si dhe në samitin e Komitetit Politik të Europës në Kopenhagë të Danimarkës. Këta të anës së kompromisit le të dalin e të thonë se “Vjosa është anti-amerikane”! Albin Kurti e realizon me përkushtim dhe vendosmëri këtë detyrim moral dhe politik, që përkthehet në qëndrim patriotik të tij në dobi të interesave të Kosovës.

Por çfarë ndodh në kampin tjetër, përfaqësuesi tipik i të cilit është Edi Rama? Rama edhe së fundmi kërkoi “uljen e armëve” dhe “indifarencën” e lidershipit të Kosovës për atë çfarë Serbia e mikut të tij, Aleksandër Vuçiq, organizojnë e bëjnë kundër Kosovës dhe kundër shqiptarëve. “Le të bëjë çfarë të dojë Serbia”, thotë ai. “Kosova duhet të merret me veten”, rekomandon më pastaj. Asnjëherë kryeminsitri i Shqipërisë nuk e ka artikuluar fjalën genocid e krime kundër njerëzimit për terrorin e Serbisë kundër shqiptarëve. Bllokoi votimin e rezolutës për genocidin serb në Kosovë, e cila iu paraqit para gati dy vitesh parlamentit të Shqipërisë. Mori në mbrojtje Serbinë në shumë samite, deri te ai i NATO-s, në vitin 2022, kur tha se “Duhet ta mirëkuptojmë Beogradin pse ai nuk vendos sanksione kundër Rusisë”! Kërkoi që territori i pretenduar nga Serbia, pra Veriu i Kosovës, të konsiderohet si “tokë e askujt”! U bë lider i Open Balkan, për t’ia lehtësuar detyrën Aleksandër Vuçiq për sundimin serb në rajon, e kështu me radhë.

Nëse publiku ndjek këto qëndrime në ekrane televizive e medie, ai e kupton aq mirë se kush e mbron idenë e shprehur nga Clinton për atë se “Kosovarët nuk dorëzohen” dhe kush mbron narrativën e dorëzimit pa kushte përballë presioneve të nxitura nga Serbia dhe lobet serbe në Perendim. Në fakt “dorëzimi” në kushtet e një Kosove të shpallur si e pavarur dhe me institucione të mirëfillta të shtetit të pavarur nuk është opsion, nuk është alternativë. Përkundrazi, në kushtet e sotme gjeopolitike Kosova favorizohet të jetë akoma më e vendosur dhe këmbngulëse në projektin e saj të shtetësisë së plotë me ulëse në OKB e anëtare e NATO-s dhe BE-së. Sot Kosova nuk kishte ushtri si para 27 vitesh dhe i duhej të armatosej me kallashnikollët e vjedhur në depot ushtarake të Shqipërisë për të luftuar ushtrinë e pestë më të fuqishme të Europës. Sot Kosova ka një ushtri me 10 mijë forca të armatosura, të trajnuara e të motivuara, si dhe me 5000 të tjerë rezervë. Sot Kosova ndan një buxhet gati sa ai i Shqipërisë për mbrojtjen dhe sigurinë. Sot Kosova ka një armatim modern të garantuar nga SHBA, Gjermania, Britania e Madhe dhe Turqia. Kosovarët nën armë dhe pjesa më e madhe civile e tyre janë të motivuar dhe të vendosur për ta mbrojtur me vetmohim territorin e vendit.

Vendosja e sovranitetit dhe kontrollit shtetëror në veri, sidomos pas aktit terrorist të Banjskës, e ka çimentuar idenë se “Kosova nuk dorëzohet”! Megjithatë kampi e “të dorëzuarve” po përpiqet me çdo kusht që ta rikthejë në Kosovë ish-kompromisaxhiun e madh, Hashim Thaçi. Por për fatin e ekq të këtij kampi, duket se ish-presidenti Thaçi nuk do të lirohet nga Haga, edhe nëse lirohen Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli!