Jock Covey, diplomati amerikan dhe ish-zëvendësi i kryeadministratorit të UNMIK-ut, Bernard Kushner, tha se Ibrahim Rugova ndihej i pasigurt që të kthehej në Kosovë pasluftës.
Ai, gjatë dëshmisë së tij në Hagë të enjten, tha se KFOR-i besonte se Daut Haradinaj, vëllai i Ramush Haradinajt, ishte i përfshirë në një sulm ndaj truprojave të Rugovës.
“Sa i përket Rugovës, me kalimin e kohës mësuam, fillimisht përmes Bernard Kushnerit që shkoi dhe e takoi, ai ishte ndoshta me depresion klinik, ishte në depresion. Në fakt, kishte frikë për sigurinë e tij personale. Bernardi më shpjegoi mua se përpjekjet e tij kryesisht kishin të bënin me bindjen e Rugovës se nëse vendosej të kthehet siguria e tij ishte e cënuar. Kjo ishte një sfidë sepse KFOR-i nuk mund të siguronte mbrojtjen e tij personale, por mund të siguronte zonën përreth tij. Rugova u kthye pas këtyre garancive”, tha Covey.
I pyetur se përse kishte frikë Rugova, Covey, i cili po dëshmon me ftesë të mbrojtjes së Hashim Thaçit në Hagë, tha se mund të ketë qenë për shkak të këtij sulmi.
“Mes bisedave me Kushnerin dhe cfarë ne mësuam shumë nga burimet e KFOR-it më vonë, ne e kuptuam se të gjithë truprojat e tij ishin vrarë pothuajse të gjithë. Nuk e di nëse kjo është fushë për të cilën mund të flasë unë në mënyrën e duhur, pasi nuk jam i informuar për këtë çështje drejtpëdrejt. Por, KFOR-i besonte se vëllai i Ramush Haradinajt, Dauti, ishte personi përgjegjës për këtë sulm. Në atë kohë ne s’kemi pasur dijeni për këtë. E kishim mësuar më vonë. Kur ne mësuam lidhur me këtë sulm dhe më pas se kush thuhej se ishte përgjegjës për të, atëherë ishte lehtë e kuptueshme se pse Rugova ishte i shqetësuar për sigurinë e tij”, tha ai.
Covey tha se Daut Haradinaj nuk ishte epror i UÇK-së.
“Unë besoj që ka qenë ndonjë nga vartësit në UÇK, ka qenë pjesëtar i njësitit perëndimor”, tha Covey.