“Lushtaku ishte ekstremist, Haradinaj ishte luftëtarë i ashpër por i moderuar” – Covey tregon pse mendoi se UÇK ishte e decentralizuar

Në Hagë, sot para trupit gjykues po dëshmon ish-zëvendësi i Bernard Kuchner, amerikani Jock Covey.

Ai u pyet nga njëri nga gjykatësit e trupit gjykues, se pse covey në një deklaratë të tij thoshte se UÇK ishte një lëvizje e decentralizuar dhe shpesh “e palidhur mes krahëve të saj”, e gjithashtu thoshte se “kryesisht ishte e përbërë nga persona të fuqishëm autonom, shumica ishin të dhunshëm dhe kishin pak respekt ndaj Thaçit”.

Pjesë nga dialogu:

Gjykatësi: Pse menduat se UÇK ishte e decentralizuar dhe e pa lidhur në krahët e saj?

Covey: Kjo është një përshtypje që e kemi marrë nga shumë burime që iu kemi besuar, ose nga raportimet e OSBE-së që kanë qenë të pranishme gjatë gjithë kohës së konfliktit, nga raportet ditore të KFOR-it dhe është një proces me osmozë i cili rezultoi në këtë përfundim të gjithësishëm me të cilin ramë dakord të gjithë ne.

Gjykatësi: Për kë e ke fjalën, këta persona të fuqishëm që drejtonin UÇK-në?

Covey: Kemi përmendur deri tani Lushtakun, Ramush Haradinajn, ishte një tjetër dhe këtu kemi të bëjmë me dy personalitete radikale të ndryshme. Ka patur edhe të tjerë, po nuk më kujtohen të gjitha karakteret e kësaj lëvizje që t’i them tani.

Gjykatësi: Në mëngjes i thatë avokatit Misetiç, që ekstremistët po tentonin t’i dëbonin serbët nga Kosova duke shfrytëzuar terror. A ju kujtohet kjo?

Covey: Po

Gjykatësi: Ju thatë që disa komandantë të zonave ishin ekstremistë. Për kë e kishit fjalën?

Covey: Në këtë kategori sigurisht se do të futja Lushtakun, edhe njëherë e përsëris që nuk më kujtohen të gjithë emrat e komandantëve të zonave. Nuk jam unë analist që t’i jap përfundimet që japin analistët.

Gjykatësi: A ke dijeni për individ të moderuar mes komandantëve të zonave.?

Covey: Ramush Haradinaj i cili ishte luftëtarë i ashpër, i rreptë doli të jetë i moderuar.