Basha kërkoi t’i hiqet emri nga revista ku fyhej rëndë UÇK-ja, por vetë ai dhe Arsovska e kishin dorëzuar artikullin për botim

Kryetari i Kuvendit Komunal të Kosovës, Dimal Basha dhe Jana Arsovska, janë autorët e një artikulli të publikuar në revistën “Etudes Caribéennes”, të cilët e fyen dhe ofenduan rëndë UÇK-në.
Në këtë artikull, ku bashkëautor ishte edhe kryetari Basha, thuhej se UÇK-ja financohej nga para të drogës, shkruan lajmi.net.

Autorësinë e tij në këtë revistë, e ka mohuar disa herë radhazi vetë Dimal Basha, biles, ditë më parë ai ka njoftuar se ka kërkuar nga kjo revistë t’i hiqet autorësia, si dhe ka thënë se kjo është aprovuar nga kjo revistë.

“Dua t’ju informoj se me t’u vënë në dijeni që një punim i imi nga studimet para 13 viteve ishte përfshirë si kapitull i veçantë në kuadër të një publikimi më të gjerë, në të cilin gabimisht isha listuar si bashkë-autor, unë kam bërë kërkesë tek Revista në fjalë që pjesa që kam kontribuar unë, pra Kapitulli 3, të hiqet tërësisht nga ai publikim! Komiteti i Publikimeve i Revistës në fjalë sot më ka njoftuar që ka miratuar kërkesën time për tërheqjen e Kapitullit 3 nga publikimi, dhe gjithashtu ka hequr edhe emrin tim nga autorësia, meqenëse unë nuk kam autorësi në pjesën tjetër të publikimit, përveç Kapitullit 3 i cili tashmë është tërhequr”, pati shkruar Basha në Facebook, më 24 shtator.

Por, a ishte ai bashkëautor i këtij publikimi shkencor?

Lajmi.net ka dërguar pyetje tek revista “Etudes Caribéennes”, të cilët kanë konfirmuar se Dimal Basha dhe Jana Arsovska e kanë dorëzuar këtë artikull për botim.

“Po”, kanë thënë shkurt nga kjo revistë, duke treguar se pas dorëzimit, ato tekste janë pranuar nga redaktori i ftuar i numrit dhe pastaj është vlerësuar.

Lajmi.net ka pyetur nëse deri sot ka marrë kjo revistë ndonjë reagim ose përgjigje lidhur me këtë botim të veçantë, për çka nga kjo revistë kanë thënë se jo.

Në lidhje me autorët, nga revista “Etudes Caribéennes” kanë thënë për lajmi.net se ishin vetëm një dorëzim i izoluar si pjesë e një numri tematik dhe jo kontribues të rregullt.

Pas informimit të opinionit publik për këtë revistë, dhe për atë çka shkruhej në artikullin e publikuar ku ishte autor edhe Dimal Basha, janë shkaktuar shumë reagime.

Nga partitë opozitare në vend dhe nga OVL-UÇK është kërkuar edhe dorëheqja e Bashës, por që kjo nuk ka ndodhur.

Madje, ndaj tij u bë edhe një kallëzim penal dhe padi civile nga Agim Pllashniku, ish-ushtar i UÇK-së.

Në mbrojtje, Bashës i kishin dalur kolegët e tij nga Lëvizja Vetëvendosje, përfshirë kryeministrin në detyrë, njëherit edhe Kryetar i VV-së, Albin Kurti. /Lajmi.net/