Të sulmosh Rugovën e Aganin, do të thotë të fyesh vetë Kosovën

Në fakt, është pikërisht ky mentalitet përjashtues që ka sjellë ndarje, përçarje dhe ka lënë plagë të thella në skenën politike të Kosovës.
Deklarata e Xhavit Halitit, se “Rugova, Agani dhe Surroi përhapnin propagandën kundër UÇK-së te Clintoni”, është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe një tentativë e qëllimshme për të rishkruar historinë sipas oreksit politik të ditës.

Të akuzosh Rugovën, simbolin e rezistencës paqësore, Fehmi Aganin, mendimtarin që u vra mizorisht nga regjimi serb, dhe Veton Surroin, një nga zërat më të artikuluar të shoqërisë civile, për “propagandë kundër UÇK-së”, është në minimum fyerje ndaj memories së popullit të Kosovës.

Në kohën kur këta personalitete lobonin për njohjen e tragjedisë së Kosovës në qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes, ka pasur struktura të caktuara të UÇK-së që përfaqësoheshin me dyshime, mungesë uniteti dhe shpesh me akuza për pazare politike e financiare. Të gjithë e dinë se pa Rugovën dhe grupin e tij nuk do të kishte derë të hapur në Washington, as te Clinton, e as te kancelaritë evropiane.

Ky lloj diskursi nga Haliti është përpjekje për të ulur kontributin e të tjerëve, për ta paraqitur veten dhe rrethin e tij si të vetmit “mbrojtës të kombit”. Në fakt, është pikërisht ky mentalitet përjashtues që ka sjellë ndarje, përçarje dhe ka lënë plagë të thella në skenën politike të Kosovës.

Historia e UÇK-së nuk mund të përdoret për të shlyer figurat që ishin të ndryshme në qasje, por të barabarta në sakrificë për lirinë. Rugova dhe Agani nuk mund të fshihen nga kujtesa kolektive me deklarata boshe. Përkundrazi, është koha që Xhavit Haliti dhe të ngjashmit të reflektojnë se me këtë lloj fjalori nuk po mbrojnë UÇK-në, por po i bëjnë dëm trashëgimisë së saj.

Historia nuk shkruhet me shpifje, as me deklarata që përçajnë. Historia e Kosovës ka vend për Rugovën, për Aganin, për Surroin, për UÇK-në dhe për çdo qytetar që sakrifikoi. Nuk ka vend vetëm për ata që duan ta shesin të vërtetën për interesa personale.