Zgjedhjet e reja si zgjidhje? Analistët: Opozita s’ka fuqi ta rrëzojë Kurtin

“Partitë ish-opozitare synojnë vetëm ta përmbysin pushtetin e Albin Kurtit”“Ka gjasa që partitë opozitare të përpiqen me manipulime apo skenarë të ndryshëm për ta larguar LVV-në nga pushteti”
Kosova ende nuk ka arritur ta konstituojë plotësisht Kuvendin, derisa është në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka pezulluar procesin deri më 30 shtator.

Megjithatë, partitë ish-opozitare kanë filluar të përmendin zgjedhjet e parakohshme, të cilat i shohin si mundësi për dalje nga kjo krizë politike e krijuar.

E së fundi, një gjë të tillë e ka potencuar, sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e për të cilën zgjedhjet e reja parlamentare janë të pashmangshme.

Madje, në një intervistë për KP, ajo edhe dha një parashikim, duke thënë se zgjedhjet e reja mund të mbahen në fund të vitit 2025.

“Në momentin në të cilin jemi, konsideroj që zgjedhjet e reja parlamentare janë bërë të pashmangshme. Është humbur shumë kohë. Zoti Kurti i ka humbur Kosovës jo vetëm këto muaj prej kur jemi pa institucione, por i ka humbur vite të tëra. Në vazhdimësi ka vendosur popullizmin në vend të qeverisjes së përgjegjshme dhe në vend të koordinimit me aleatët, gjithmonë ka zgjedhur konfrontimin…22:16 Fillimisht duhet të presim të shohim se çfarë do të na thotë Gjykata Kushtetuese dhe cilët janë hapat që parashihen të merren nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Mirëpo, siç e lexoj situatën deri më tani, duket që do të jetë teknikisht e pamundur që ato zgjedhje të reja parlamentare të organizohen para përfundimit të balotazhit (në zgjedhjet lokale). Zgjedhjet e reja parlamentare, natyrisht, në bazë të afateve kalendarike, mund të ndodhin kah fundi i vitit”, thotë ajo.

Mirëpo, me këtë thirrjet e partive ish-opozitare për zgjedhje të parakohshme, duket sikur po përgatitet terreni për një bashkëpunim mes tyre në të ardhmen, për të ardhur në pushtet.

Pasi, dihet se të gjitha kanë refuzuar bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve.

Se çka në realitet mund të jenë qëllimet e partive në fjalë, për “Bota sot” folën njohësit e çështjeve politike.

Preqi: Sikur të bëhen bashkë të gjitha partitë ish-opozitare, fituese e zgjedhjeve do të jetë LVV

Fillimisht, opinionisti Dedë Preqi komentoi deklaratën e Çitakut, derisa kritikoi partitë ish-opozitare.

Sipas tij, kërkesa për zgjedhje të reja nuk vjen nga pjekuria politike, por shkon përtej qëllimit për të ndërtuar të ardhmen e vendit.

ImageDedë PreqiFoto galeri
“Zgjedhjet e reja mund të jenë të pashmangshme, do të thoshte në një intervistë sekretarja e përgjithshme e PDK, znj. Vlora Çitaku, së cilës nuk i dhimbset dot buxheti i popullit të Kosovës, sepse ka përvojat e saja të mëhershme të keqpërdorimit si ambasadore në SHBA, përderisa ishte bashkëpunëtore e lobimit për ndarjen e Kosovës.

Dhe ky seriozitet për zgjedhje të reja nuk vjen nga pjekuria politike dhe koha e një procesi të domosdoshëm dhe të përshtatshëm në kuadër të planeve dhe programeve zgjedhore, por vjen nga një formë që vërteton paaftësisë e opozitës për t’u pozicionuar në realitetin e krijuar, që shkon përtej qëllimit dhe në disfavor për të ndërtuar të ardhmen e këtij vendi.

Prandaj, orvatjet e këtij lloji, sikur do e kishin një tipar të pashpresë dhe drobitës, sepse pohimi i zgjedhjeve të reja për opozitën nuk është i vullnetshëm, duke ditur pozicionimin e tyre në zgjedhjet e kaluara, por këtë e bëjnë vetëm të paraqesin një lloj romantizmi të dëshpëruar, duke ditur se kërkesa e tyre ka qenë që në momentet e para, kur Albin Kurti e mori pushtetin”, ka thënë Preqi.

Po ashtu, ai tha se thirrjet për zgjedhje të reja parlamentare, i sheh si një synim për ta përmbysur pushtetin e Kurtit.

Megjithatë, ai potencoi se është e vështirë të bëhet një gjë e tillë, pasi kryetari i LVV, ka ende mbështetje të madhe nga qytetarët.

“Për zgjedhje të parakohshme kanë folur edhe partitë tjera të ish-opozitës, por secila ka folur me gjysmë zëri, sepse e dinë fort mirë se çfarë do i gjenë, pavarësisht nga deklaratat e tyre populiste, duke nënkuptuar pamundësinë për t’u zgjeruar më shumë, që disa prej tyre nuk do e kalojnë as pragun zgjedhor, por kjo përpjekje do bëhet në formë të një kauze të përgjithshme opozitare, duke përfshirë edhe Listën serbe, vetëm për ta përmbysur pushtetin e Albin Kurtit.

Mirëpo, LVV në krye me Albin Kurtin, e ka prapa masën e madhe të qytetarëve, që bëhet i pranueshëm nga vullneti i popullit edhe në zgjedhjet e ardhshme, nëse ndodh një gjë e tillë përveçse do të hasim në një personalitet të ngritur dhe të mirëpritur, të aftë dhe të guximshëm për të qeverisur, gjë që është kusht absolut i fitores edhe në zgjedhjet e ardhshme”, shpjegoi ai.

Krahas kësaj, opinionisti tha se do duhej të kishte kompromis mes partive politike në gjithë procesin e formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

“Prandaj, në vend që të arrihet një konsensus i përbashkët në mes partive politike, apo në mes pozitës dhe opozitës që të formohet qeveria e re e Kosovës, pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve të saj me përjashtim të Listës serbe, e cila po e mban peng institucionin më të lartë të këtij shteti, duke e dërguar ankesën e saj në kushtetuese.

Kuptohet lehtë se çfarë do të thotë kur pohohet se një milion e gjysmë njerëz janë më pak se dhjetë, duke ua dhënë vlerat e mëdha një pakice, e cila po abuzon me vlerat demokratike dhe ligjet e këtij shteti, mbi bazën e kritereve të një kulture të vjetër dhe mitike të kësaj mase të çuditshme dhe të rrezikshme”, shtjelloi Preqi.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe bllokadën që është krijuar, si pasojë e moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb, e që më pas një ankesë e Listës Serbe e ka bllokuar gjithë procesin.

“Edhe pse qëndron një shtysë urgjente për të krijuar sa më parë institucionet e vendit dhe duke e pyetur vetën se ku qëndrojnë problemet e këtij populli, mirëpo sikur kafshata mbetet në fyt, duke e ngulfatur në një mënyrë vetëvetën, sepse ishte mundësia e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit, nga pakica serbe me emërimin e Nenad Rashiq, por me një përqëndrim përpjekjesh të opozitës dhe ankesës së Listës serbe, gjykata vendosi një masë të përkohshme deri me 30 shtator.

Thënë ndryshe, vetë instinkti e shtyn akoma më shumë këtë lloj strukture njerëzore që të bjerë në sy dhe të dëshmojë brenda këtij organizimi, e cila i bindet vetëm modelit dhe programeve të veta, sikur vetë programi i tyre do të ishte më i miri dhe më i pastri, apo në të kundërtën, si themeli i padrejtësive në këtë vend, i mbushur me krime dhe korrupsion deri në fyt”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

Mehmeti: Partitë opozitare janë lidhur mes vete me inate aq të mëdha, nuk pranon asnjëra të bashkëqeverisë me LVV-në

ImageGani MehmetiFoto galeri
Ndërsa, opinionisti tjetër, Gani Mehmeti tha se gjithë bllokada e krijuar është si pasojë e inateve të partive politike, ku asnjëra nuk pranon të bashkëqeverisë me partinë fituese LVV-në.

“Partitë politike të Kosovës, të cilat, siç duket, ende nuk po arrijnë ta formojnë Kuvendin e Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të këtij viti, nuk po japin shenja as për formimin e qeverisë — edhe pas më shumë se shtatë muajsh nga mbajtja e tyre.

Këto parti janë lidhur mes vete me inate aq të mëdha, saqë asnjëra nuk pranon të bashkëqeverisë me partinë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), e cila nuk i ka numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë e re”, deklaroi ai.

Mehmeti në prononcimin për “Bota sot” tha se partitë opozitare nuk i kanë numrat pa Listën Serbe, prandaj edhe po i presin zgjedhjet e reja.

Megjithatë, sipas tij, edhe nëse mbahen zgjedhjet e reja, rezultati do jetë i ngjashëm dhe sërish partitë ish-opozitare, pa bashkëpunim me LVV nuk do arrijnë të formojnë qeverinë e re.

“Është mjaft interesante se as partitë opozitare nuk i kanë numrat për të formuar qeveri, nëse nuk pranojnë të hyjnë në koalicion me LVV-në ose me Listën Serbe. Për këtë arsye, partitë politike në Kosovë po presin zgjedhje të reja, të quajtura të parakohshme ose të jashtëzakonshme.

Por, çfarë mund të pritet pas zgjedhjeve të reja, të cilat pretendohet të mbahen deri nga fundi i vitit 2025?

Me kushtet dhe inatet aktuale, ka gjasa që edhe në ato zgjedhje të kemi një rezultat të ngjashëm me atë të 9 shkurtit. Pa një marrëveshje për koalicion mes ndonjërës prej partive ish-opozitare dhe LVV-së, formimi i qeverisë do të jetë i vështirë edhe pas zgjedhjeve të ardhshme”, theksoi ai.

Për këtë, opinionisti hedhi dyshime se mund të ketë skenarë që po përgatiten nga partitë politike, me qëllim të largimit të LVV nga pushteti.

“Sipas asaj që kemi vërejtur deri tani, LVV-ja ndoshta ka rënë disi në përkrahje, por edhe partitë e tjera nuk kanë shënuar ndonjë ngritje të dukshme. Situata është e koklavitur: votuesit kanë humbur besimin në të gjitha partitë. Një parti e re, e pasprovuar deri më tani, nuk është në skenë, prandaj zhgënjimi i deritanishëm i ka lënë qytetarët tërësisht të çorientuar, saqë nuk dinë nga t’ia mbajnë.

Ekziston mundësia që partitë ish-opozitare të lidhen mes vete, por sa do të arrijnë të formojnë Kuvend dhe Qeveri pa LVV-në, kjo mbetet një pikëpyetje e madhe.

Ka gjasa që partitë opozitare të përpiqen me manipulime apo skenarë të ndryshëm për ta larguar LVV-në nga pushteti”, shtjelloi ai.

Në fund, Mehmeti shtoi se, edhe nëse mbahen zgjedhjet e reja, rezultati do jetë i njëjtë, derisa vlerësoi se të gjitha partitë shqiptare, po ashtu edhe Lista Serbe janë pozicionuar kundër Lëvizjes Vetëvendosje.

“Është interesante se, sipas perceptimit publik, LVV-ja ende ka njëfarë përparësie në popull, por kur vjen puna te kutia e votimit, ajo përparësi shpesh mbetet vetëm në nivelin e sondazheve apo perceptimeve.

Përndryshe, kundër LVV-së janë partitë opozitare, Lista Serbe dhe disa nga faktorët ndërkombëtarë.

Unë mendoj se rezultati i zgjedhjeve të parakohshme nuk do të ndryshojë shumë nga ai i zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.

Ndoshta është ende pak herët për të qenë plotësisht i saktë në këtë parashikim.

Mbetet të shohim…”, përmbylli Gani Mehmeti.