Tarifa 100 mijë dollarë për vizat e punës në SHBA, Shtëpia e Bardhë: Mjekët mund të përjashtohen

Shtëpia e Bardhë njoftoi javën e kaluar se një tarifë prej 100 mijë dollarësh do të vendoset për të huajt që duan të marrin viza H-1B, kryesisht për shkencëtarë, inxhinierë, programues dhe persona të tjerë me kualifikime të veçanta për të punuar në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë tha se do të kishte disa “përjashtime rast pas rasti” nëse do të konsiderohej se ishte në “interes kombëtar”.

Mjekët mund të përfshihen në këto përjashtime, raportoi një gazetar i Bloomberg në një postim në X, duke cituar zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë Taylor Rogers.

Të shtunën, Shtëpia e Bardhë ishte tërhequr nga vendimi fillestar, duke sqaruar se tarifa prej 100,000 dollarësh për vizat e punës H-1B do të zbatohej vetëm për aplikimet e reja dhe jo për rinovimet. Sqarimi u dha pasi India dhe kompanitë shprehën shqetësime që mund të preken nga masa specifike.