Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë vendosur të pezullojnë pa afat dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën, për shkak të shqetësimeve të ngritura lidhur me veprimet e fundit të Qeverisë në detyrë.
Lajmi u bë i ditur të premten nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, përmes një postimi në Facebook.
Ky vendim është interpretuar si një sinjal serioz ndaj institucioneve të Kosovës. Megjithatë, mënyra e komunikimit – pa sqarime të detajuara apo arsye të qarta – ka lënë hapësirë për interpretime të ndryshme dhe spekulime në opinionin publik.
Një pjesë e shoqërisë e sheh këtë si dëshmi se qeveria aktuale po ndjek një kurs antiamerikan, ndërsa të tjerë dyshojnë se SHBA-të po afrohen me pozicionet e Serbisë në raport me çështjet rajonale.
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli veprimtari shqiptaro-amerikan, Agim Aliçkaj.
Si fillim, ai tha se lajmi për pezullim të dialogut është lajm i keq, por jo “fundi i botës”.
Sipas tij, raportet në mes shteteve nuk prishen me një deklaratë.
ImageAgim Aliçkaj.Foto galeri
“Pezullimi i Dialogut Strategjik nga e Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati është lajm i keq për Kosovën, por nuk është fundi i botës siç dëshirojnë ta paraqesin armiqtë e Kosovës dhe kundërshtarët politikë të Kryeministrit në detyrë Albin Kurti. Marrëdhëniet në mes shteteve nuk prishen me një deklaratë, ato ndryshojnë shpesh sipas situatës dhe interesave të tyre.
Ky lloj dialogu i inicuar nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ishte ide shumë e mirë për avancimin në mënyrë simbolike të marëdhënieve edhe ashtu të mira në mes të Amerikës dhe Kosovës. Meqë ende nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje, ky dialog nuk ka filluar dhe nuk dihet konkretisht çka do të përmbante. Pra Kosova e ka “humbur” një gjë e cila ende nuk ekzistonte”.
Po ashtu, Aliçkaj komentoi edhe deklarata e të ngarkuarës së SHBA-së në Kosovë, në të cilat shprehte kritika ndaj Kurtit.
Në këtë pikë, tha se kjo ishte zgjidhur nëse do kishte takim të saj me kryeministrin në detyrë dhe të përballej me argumente.
“E keqja e këtij pezullimi apo më mirë me thënë deklarate është në atë se në mënyrë direkte është kritikuar KM në detyrë Albin Kurti nga ambasada e një shteti mik, qenësorë për ekzistencën e shtetit të Kosovës. Kjo mund të ketë ndikim negativ në zgjedhjet lokale që do të mbahen së shpejti, si dhe në proçesin e konstituuimit të Kuvendit dhe qeverisë së Kosovës.
Nëse kjo paraqitje publike e zonjës Prattipati është e sinqertë dhe bazohet me të vërtetë në shqetsimin e saj “në lidhje me veprimet e qeverisë së përkohshme” dhe “deklaratat e fundit të Kryeministrit në detyrë”, atëherë është shumë lehtë të zgjidhet problemi.
Në një takim pune ambasadorja në detyrë duhet të ballafaqohet me fakte dhe argumente për situatën. Nëse ka vërejtje për deklaratat kundër listës serbe, ekzistojnë fakte të pamohueshme për veprimet armiqësore të saj dhe të drejtat e garantuara të minoritetit serb të cilat Kosova i respekton plotësisht.
Nëse kritikat ndaj Gjykatës kushtetuese dhe shtypit janë problem, duhet theksuar se ato janë gjëra normale në një shtet demokratik. Presidenti Trump e kritikon shtypin dhe gjykatat përditë dhe fortë. Edhepse ajo nuk ka të drejtë, mund ti premtohet përmbajtje për t’ja bërë qejfin dhe problemi do të duhej të përfundonte”, shpjegoi ai.
Krahas kësaj, veprimtari shqiptaro-amerikan vlerësoi se problem është më shumë te veprimtet e partive opozitare, se tek vendimet e qeverisë Kurti.
“Fatëkeqësisht, ekziston dyshimi i bazuar se problemi nuk ka të bëj me sjelljet e KM në detyrë Kurti, por me veprimet armiqësore të regjimit serb për destabilizimin permanent dhe futjen nën kontroll të Republikës së Kosovës. Ata e kanë bërë publike se do të bëjnë çdo gjë të mundur për ta larguar KM Kurti përgjithëmonë nga jeta politike e Kosovës i cili, bashkë me presidenten Osmani, janë e vetmja pengesë për realizimin e qëllimeve të tyre.
Këto veprime përputhen me paaftsinë e partive humbëse PDK, LDK, AAK për t’i fituar zgjedhjet dhe dëshirën e tyre të flaktë për ta marrë pushtetin me çdo kusht, edhe me çmim të kthimit të Serbisë në Kosovë. Po ashtu, përputhen edhe me dëshirën e zjarrtë dhe përpjekjet e ish-emisarit Grenell për ta rrëzuar KM Kurti për shkak të urrjtjes ndaj tij dhe obligimeve ndaj regjimit fashist serb të Vuciqit”, nënvizoi Aliçkaj.
Më tej, si një lobist shqiptar në SHBA, ai foli mbi propaganda e Vuçiqit dhe Serbisë kunër Koosvës.
Në këtë rast, përmendi Grenell dhe Hill, si dhe lidhjet e tyre me partitë opozitare dhe kryeministrin e Shqipërisë, ku qëllimi ishte për të rikthyer partitë në fjalë në pushtet.
Rrjedhimisht, ai beson se Prattipati nuk ishte mjaft e ‘fuqishme’ përballë Grenell e Hill, e për këtë dha disa arsye.
“Meqë nuk merrem me politikë as diplomaci por me veprimtari të pavarur patriotike lobiste, më duhet ta them edhe më hapur. Fashisti serb Vuciq e rrenë Evropën dhe Amerikën se Serbia do të ikë nga Rusia nëse i ipet Kosova. Grenell me ish ambasadorin Hill, si lobistë të Serbisë e rrejnë Vuçiqin se do të ja mundësojnë kthimin në Kosovë. Grenell e rren PDK-në se do të jua kthejë Thaçin nga Haga, ndërsa i rrenë edhe PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se do ti kthejë në pushtet.
KM i Shqipërisë Edi Rama i rrenë të gjithë pa përjashtim.
Dhe, për të gjitha këto rrena dhe mashtrime është “fajtor” Albini!
Zonja Pratippati si e Ngarkuar me Punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë nuk e ka fuqinë e plotë t’i rezistojë presionit Grenell-Hill në koordinim me Ambasadë Amerikane në Beograd. Nga kjo rrjedhë edhe deklarata e saj kritikuese për Kurtin dhe Kosovën.
Me ndërhyrjen e panevojshme dhe jodiplomatike ajo, ndoshta padashur, është duke u përzier drejtpërdrejtë në punët e brendshme të shtetit më pro-Amerikan në botë dhe duke e përkrahur Serbinë, shtetin më anti-Amerikan në Evropë. Kjo mund të shkaktojë destabilizimin e Kosovës dhe të Ballkanit. Mund të vijë edhe te përdorimi i dhunës, për të cilën gjë ajo do ta mbante fajin kryesor”.
Ndër të tjera, veprimtari shqiptaro-amerikan foli mbi lidhjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me shqiptarët.
Derisa, dha një mesazh që me frikacakë nuk ndërtohet shteti dhe si rrjedhimisht “As Amerika nuk i do, edhe pse i përdorë qyqanat”.
“Dashuria, falënderimi dhe respekti për Amerikën duhet vazhduar përjetë. Por nuk ka vend as nevojë për frigë dhe nënshtrim. Çdo gjë e ka kufirin. Kosovës nuk i duhet miqësia me askend nëse duhet ta humbë lirinë dhe pavarësinë. Me Amerikën mund të bashkëpunohet dhe koordinohet me fakte dhe argumente duke i prezentuar ato me respekt dhe në takime të mbyllura.
Amerika nuk është paragjykuese për shqiptarët si Evropa, ajo është e kthyeshme dhe e kuptueshme.
Grenell nuk e përfaqëson Amerikën por interesat serbe dhe ruse në Ballkan. Lista serbe nuk e përfaqëson minoritetin serb por interesat e regjimit fashist dhe bandave të Serbisë në Kosovë.
Pranimi i asociacionit serb dhe çfarëdo koalicioni me organizatën armiqësore “Lista srpska” nënkupton shkatërrimin e Kosovës. Kjo do të ishte shkelje mbi rezistencën shekullore, luftën çlirimtare dhe gjakun e heronjëve dhe viktimave të gjenocidit serb.
Populli i Kosovës është i vetmi i cili me votën e vet mund t’i ndalë këto padrejtësi dhe rreziqe. Liria nuk ka çmim. Kombi është mbi të gjitha. Shteti i fortë e mbronë individin, familjen dhe kombin. Me frikacakë nuk ndërtohet shteti. As Amerika nuk i do, edhe pse i përdorë qyqanat”, përmbylli Agim Aliçkaj për “Bota sot”.