Tensionet në Azinë Lindore kanë hyrë në një fazë të re përshkallëzimi, pasi dy luftanije, HMS Richmond e Mbretërisë së Bashkuar dhe USS Higgins e Shteteve të Bashkuara, kaluan përmes ngushticës së Tajvanit të premten, duke ngjallur një reagim të ashpër nga Kina.
Ushtria Çlirimtare Popullore (PLA) i cilësoi lëvizjet si “provokime dhe krijim shqetësimesh”, ndërsa tha se anijet ishin ndjekur dhe paralajmëruar nga forcat detare dhe ajrore kineze. Pekini i akuzoi Uashingtonin dhe Londrën për dërgimin e sinjaleve të gabuara që, sipas tij, “minojnë paqen dhe stabilitetin në ngushticë”.
Nga ana tjetër, si SHBA ashtu edhe Britania deklaruan se kalimi ishte “lundrim rutinë” dhe në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare, duke theksuar se ngushtica 180 km mes Tajvanit dhe Kinës kontinentale është ujë ndërkombëtar dhe nuk mund të pretendohet si territor i asnjë shteti. Komanda e Indo-Paqësorit e SHBA-së theksoi se navigimi i lirë është një e drejtë që nuk duhet kufizuar dhe se të gjitha anijet ushtarake perëndimore veprojnë nën Konventën e OKB-së për të Drejtën Detare (UNCLOS).
Ky incident vjen në një kontekst më të gjerë përplasjesh detare dhe demonstrimesh force. Vetëm pak ditë më parë, një tjetër flotë e përbërë nga anije kanadeze dhe australiane kishte bërë të njëjtin kalim. Kina, për ta theksuar dominimin e saj në rajon, dërgoi në të njëjtën ditë aeroplanmbajtësen më të re “Fujian”, aktualisht në fazë testimi, në të njëjtën rrugë detare. Ngushtica e Tajvanit është bërë tashmë epiqendra e përplasjes midis një bote demokratike dhe një superfuqie autoritare në ngjitje. Që prej vitit 2021, kalime të tilla ndodhin pothuajse çdo muaj, kryesisht nga aleatët e SHBA-së si Britania, Franca, Kanadaja dhe Australia.
Kina e konsideron Tajvanin si territor të vetin, një provincë të shkëputur që duhet ribashkuar, nëse duhet, edhe me forcë. Tajvani, i cili funksionon si shtet i pavarur, e refuzon këtë narrativë, ndërsa mbështetet në aleancën strategjike me SHBA-në për mbijetesë. Në këtë frymë, kreu i Këshillit për Marrëdhëniet me Kinën në qeverinë e Tajvanit, Chiu Chui-cheng, deklaroi në Washington se Kina po përgatit realisht një pushtim të Tajvanit, duke shtuar se nëse Tajvani bie, atëherë do të ndodhë një efekt domino në të gjithë Azinë Lindore, me pasoja të rënda për sigurinë amerikane dhe botërore.
Paralelisht, SHBA po përballet me provokime kineze edhe në Detin e Jugut, ku Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, denoncoi vendimin e Pekinit për të shpallur shkëmbin e Scarborough si “rezervë natyrore” – një hap i konsideruar si manovër për të justifikuar kontrollin e paligjshëm mbi një zonë brenda kufijve detarë të Filipineve. Rubio deklaroi se kjo është një përpjekje tjetër e Kinës për të imponuar pretendime të rreme territoriale përmes presionit ushtarak dhe diplomatik, duke rrezikuar lirinë e lundrimit në një zonë që përshkohet nga më shumë se 3 trilionë dollarë në tregti çdo vit.
Situata po shkon drejt një pike ku kalimet simbolike dhe deklaratat diplomatike mund të mos mjaftojnë më. Ngushtica e Tajvanit është kthyer në një fushë shahu ku çdo lëvizje mbart potencialin e një përplasjeje shumë më të madhe. Me SHBA-në që rrit praninë ushtarake dhe Kinën që demonstron forcë gjithnjë e më hapur, botës po i shtohet një tjetër vater e rrezikshme konflikti.