“Kosova nuk ka humbur 114 milionë euro për energji” – Bislimi demanton gazetën Blic

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë, Besnik Bislimi, ka reaguar ndaj një artikulli të publikuar nga gazeta Blic me titull “Kosova humb 114 milionë euro për energji, Shoqata e Prodhuesve fajëson institucionet”, duke e cilësuar atë si dezinformatë dhe lajm të pavërtetë, shkruan KosovaNews.

“Nuk është e vërtetë që Kosova ka humbur 114 milionë euro për energji si ‘pasojë e masave të Bashkimit Evropian’. Kjo është dezinformatë dhe shtrembërim i fakteve”, ka deklaruar Bislimi.

Ai theksoi se masat e BE-së, të vendosura në qershor 2023, nuk kanë qenë të përhershme dhe tashmë ka nisur heqja graduale e tyre. Sipas tij, projektet dhe financimet e BE-së nuk janë humbur, por janë pezulluar përkohësisht dhe kanë filluar të rifillojnë me heqjen e masave.

Bislimi ka sqaruar se dy projekte në kuadër të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), me vlerë mbi 70 milionë euro, tashmë janë liruar nga masat e BE-së.

Ai ka shtuar se projektet e IPA 2024 gjenden aktualisht në fazën e vlerësimit, ndërsa disa projekte të tjera nga IPA 2020 dhe 2022, me një vlerë prej 20.6 milionë eurosh, janë vetëm të pezulluara përkohësisht dhe nuk janë të humbura. Në këtë kontekst,

Bislimi ka theksuar se në fund të muajit të kaluar janë aprovuar edhe aplikimet e Kosovës për projekte të reja në kuadër të WBIF, që përfshijnë edhe sektorin e energjisë.

Ai ka kujtuar gjithashtu se më 19 gusht Bashkimi Evropian ka disbursuar 7.5 milionë euro shtesë për Kosovën, si pjesë e Pakos së Mbështetjes Energjetike (IPA 2023), çka, sipas tij, dëshmon mbështetjen e vazhdueshme të BE-së ndaj Kosovës.