Lista Serbe, dorë e zgjatur e Vuçiqit

Moscertifikimi i Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka hapur një debat të madh politik dhe juridik në Kosovë. Por ky debat nuk mjafton, sepse thelbi i problemit nuk është vetëm një proces teknik i certifikimit, por vetë ekzistenca e një subjekti politik që shërben si dorë e zgjatur e Beogradit në Kosovë.

Lista Serbe nuk është një parti politike në kuptimin klasik; ajo është instrument i politikave hegjemoniste të Serbisë, mjet presioni dhe frikësimi ndaj qytetarëve serbë të Kosovës, si dhe një pengesë permanente për shtetin tonë.

Pyetja që duhet ngritur është kjo: a ka kuptim të certifikohet për zgjedhje një strukturë që vepron hapur kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës? A ka kuptim të lejojmë që një listë, e kontrolluar nga Beogradi dhe e mbushur me individë që i shërbejnë projekteve të Aleksandar Vuçiqit dhe shërbimeve sekrete serbe, të vendosë për fatin e institucioneve tona?

Ka ardhur koha që të shqyrtohet seriozisht shpallja e Listës Serbe si organizatë terroriste. Sepse, çfarë është një organizatë që kërcënon qytetarët serbë të Kosovës që guxojnë të mendojnë ndryshe? Çfarë është një organizatë që udhëzon militantët e saj të mos e pranojnë shtetin e Kosovës, të bojkotojnë institucionet, dhe të përdorin dhunën e shantazhin për të ruajtur kontrollin?

Në çdo shtet normal, një formacion i tillë do të konsiderohej rrezik për sigurinë kombëtare. Moscertifikimi i Listës Serbe nuk mjafton — kjo është vetëm një masë e përkohshme. Për të mbrojtur demokracinë, stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës, duhet shkuar deri në fund: shpallja e saj si organizatë terroriste, ndalimi i përhershëm i pjesëmarrjes në zgjedhje dhe zëvendësimi i saj me hapësirë për parti serbe që e njohin dhe e respektojnë shtetin e Kosovës

Serbët e Kosovës kanë të drejtë të përfaqësohen, por jo përmes një strukture kriminale që u ka rrëmbyer zërin. Nëse Lista Serbe vazhdon të ekzistojë politikisht, Kosova do të mbetet peng i projekteve të Beogradit.

Nëse ajo shpallet organizatë terroriste, atëherë hapet mundësia që komuniteti serb të çlirohet nga shantazhi dhe të integrohet realisht në institucionet tona. Ky është vendimi i madh që duhet marrë: ose vazhdojmë të tolerojmë një organizatë armiqësore brenda institucioneve, ose i japim fund, një herë e përgjithmonë, këtij absurdi politik.