Zëvendësministri në detyrë i Financave, Agim Zogjani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, i cili e akuzoi qeverinë për bllokimin e xhirollogarive bankare të Komunës së Deçanit.
“Sazani sa zan me fol’ rren! Llogaritë e komunave i kanë blloku’ përmbaruesit, jo Qeveria!”, tha Zogjani.
Përmes një statusi në Facebook, Zogjani sqaroi se problemet burojnë nga kontratat kolektive të nënshkruara gjatë fushatave zgjedhore nga sindikatat, të cilat, sipas tij, nuk janë marrë kurrë përsipër të buxhetohen nga nënshkruesit.
“Sapo kanë ardhë në pushtet këta të fundit, kanë injoru’ kontratat, ndërsa gjykatat kanë vazhduar të aprovojnë mëditje e shpenzime nga këto kontrata. Qeveria, përmes qarkoreve buxhetore, ka paralajmëruar komunat të planifikojnë mjete për shpenzimet gjyqësore, por shumica prej tyre e kanë injoruar këtë paralajmërim”, theksoi ai, duke e cilësuar deklaratën e Ibrahimit si manipulim të opinionit publik, shkruan KosovaNews.
Reagimi i plotë i Zogjanit:
Sazani sa zan me fol’ rren! Llogaritë e komunave i kanë blloku’ përmbarusit, jo Qeveria!
Historia e problemit është kjo: Sindikatat kanë nënshkru’ kontrata kolektive në fushatë zgjedhore, në këmbim të votave për liderët e korrupsionit…
Sapo kanë ardh’ n’pushtet këta të fundit kanë injoru’ këtë kontratë dhe tek kur ka ardh’ Qeveria Kurti Gjykatat kanë ndejt’ me vula në dorë duke aprovu’ mëditje e shpenzime nga Kontratat kolektive të cilat vetë nënshkruesit si morën kurrë përsipër me i buxhetu’.
Në anën tjetër kur është përgadit’ ky orteku i mijëra rasteve nga Gjykatat, Qeveria e Kosovës, përkatësisht MFPT, nëpërmjet Qarkores Buxhetoee ka paralajmëru’ komunat me planifiku’ buxhet për shpenzime gjyqësore, gjë të cilën e kanë bërë vetëm disa komuna, e shumë nga to e kanë injoru’ këtë situatë!
Pra Sazani rren za zân me fol’!
Kujtojmë se Asociacioni i Komunave të Kosovës gjatë ditës së sotme ka reaguar ndaj bllokimit të llogarive të Komunës së Deçanit, duke e cilësuar këtë si një ndërhyrje të papranueshme dhe të rrezikshme në funksionimin e pushtetit lokal.
Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se ky nuk është rast i izoluar, por pjesë e një tendence shqetësuese të qeverisë për të ushtruar presion mbi komunat që nuk udhëhiqen nga partia në pushtet.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës është informuar për bllokimin e xhirollogarive të Komunës së Deçanit. Ky nuk është një rast i vetëm, por dëshmi se qeveria po përdor mekanizmat institucionalë për të bllokuar funksionimin normal të komunave”, u shpreh Ibrahimi.