Musliu: Gërvalla nuk u refuzuar si vajza e Jusuf Gërvallës, ajo e ka pranuar bashkëpunimin me Specialen

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka treguar pse dje është refuzuar Donika Gërvalla për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Duke iu kundërpërgjigj deputetëve të VV-së, ajo ka bërë me dije se Gërvalla nuk është refuzuar si vajzë e heroit Jusuf Gërvalla.

Në profilin e tij në “Facebook”, Musliu ka shkruar se Gërvalla është refuzuar sepse ka zgjedhur të ecë në rrugën që nuk ka ecur prindi i saj.

“Sot në Kuvend nuk u mohua Donika si vajzë e Isuf Gërvallës. U mohua Donika që ka zgjedhur të ecë në një rrugë që fyen vlerat dhe sakrificën e Isufit. Sot nuk u refuzua as mbesa e Nënës Ajshe. U refuzua Donika që, me qëndrimet e saj politike dhe veprimet publike, e mohoi të drejtën e Nënës Ajshe për të parë të birin e saj të varroset me nderimet që i takonin një heroi të kombit. Vetë Donika Gërvalla ka pranuar publikisht bashkëpunimin me Gjykatën Speciale kundër UÇK-së, kundër luftëtarëve të lirisë, të cilët sot padrejtësisht po mbahen në burgje”, ka shkruar ajo, duke dhënë detaje tjera.

“Një qëndrim i tillë bie ndesh me çdo parim që mbrojti dhe përfaqësoi Isuf Gërvalla. Mos të ngatërrojmë lidhjet familjare me trashëgiminë morale. Emrat e mëdhenj nuk mbrohen me mbiemra, por me vepra. Prandaj sot, jo në urrejtje, por në respekt për historinë tonë dhe për ata që dhanë jetën për liri, Donika Gërvalla nuk mori besimin për të udhëhequr Kuvendin e Republikës”, ka shkruar ajo.