Plasohet narrativa e re e VV’së pas dy dështimeve në Kuvend- Sulme kushtetueses, barazime me Listën Serbe

Lëvizja Vetëvendosje siç duket e ka krijuar narrativën e tyre tashmë pas dështimeve të njëpasnjëshme për zgjidhjen e ngërçit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Duke filluar nga Dejona Mihali, e për të përfunduar tek Hekuran Murati, ata kanë barazuar partitë e tjera me Listën Serbe.

Koordinatorja e komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, e ka plasuar e para në rrjete sociale këtë narrativë. Ajo tha se Lista Serbe, SDU’ja, PDK, LDK dhe AAK votuan kundër fillimit të konstituimit të Kuvendit.

“Lista Serbe, SDU dhe PDK, LDK, AAK votuan kundër fillimit të konstituimit të Kuvendit. Edhe njëherë, Gjykata Kushtetuese dështon. Duke e kthyer një proces ku ishte para 4 muajsh vetëm pse u beson eksponentëve të PDK-së apo se iu duhet t’u bindet atyre, Gjyqtarët kushtetues jo vetëm që lanë nam me vobektësinë e arsyetimit që shkruan por edhe u diskretituan thellësisht për rrugën që imponuan.

Votimi i fshehtë u jipte lirinë atyre që janë nën shantazh. E të tillë ka në sallë të Kuvendit. Por Gjykata Kushtetuese nuk sheh. Ia kanë mbyllur sytë”, shkroi ndër të tjera ajo në ‘Facebook’.

Ngjashëm diçka u deklarua edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati. Ai paralajmëroi publikun se do të shohin se si partitë e tjera që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar do të ndihmonin në certifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet lokale.

Deputeti tjetër i VV’së, Agim Bahtiri, para mediave tha se partitë e tjera janë bërë bashkë me Listën Serbe, ndërkohë sipas tij, VV-ja është e vetme.

Ai u shpreh se brenda parlamentit janë ndarë dy blloqe.

“Janë nda dy blloqe, VV është vetëm. Opozita së bashku me Listën Serbe janë në njërën anë dhe jemi 57 me 56, dhe do të shohim”, deklaroi Bahtiri.

Deputetja tjetër e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu-Hyseni, ka zgjeruar të njëjtën narrativë duke thënë se Lista Serbe dhe partitë e tjera më herët votonin për marrëveshje për normalizim raportesh me Serbinë dhe për krijimin e Gjykatës Speciale.

“Të njejtit këta, pra PDK-LDK-Lista Serbe-AAK votonin PËR marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë, që në thelb e kishte Zajednicën. Të njejtit patën votuar PËR krijimin e Gjykatës Speciale, PËR amnistimin e kriminelëve të luftë, PËR demarkacionin me Malin e Zi. A po e kuptoni qytetarë të dashur, që këta nuk e duan konstituimin e Kuvendit. Këta e duan vazhdimin e bllokadës. Këta duan ta dëmtojnë sa më shumë vendin“, deklaroi ajo.

Bashkëpartiaku i kandidates që dështoi të zgjidhej kryekuvendare, Haxhi Avdyli, ka gjetur një akronim të çuditshëm për t’i përshkruar partitë e tjera politike: PLAS.

“Koalicioni PLAS, sdon zhbllokim, sdon formim institucionesh. PLAS del dhe kundër një emri siq është bija e heroit Jusuf Gervalla, siq është ministrja Gervalla”, deklaroi Avdyli.

Sot nuk u votua as Albulena Haxhiu as Donika Gërvalla për kryetare të Kuvendit të Kosovës.