“Puçist, improvizator” – s’ka paqe mes Kadri Kryeziut dhe Enver Hasanit: Postohet thumbimi i radhës

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka vazhduar me akuza të ashpra ndaj ish-kryetarit të kësaj gjykate, Enver Hasani.

Përplasjet mes tyre janë thelluar ditëve të fundit, me deklarata publike dhe polemika rreth gjendjes së gjyqësorit në vend.

Në postimin e tij më të fundit, Kryeziu e ka quajtur Hasanin “puçist” dhe “improvizator”, duke vazhduar akuzat që kanë zgjatur tashmë prej disa ditësh.

Postimi i plotë i Kadri Kryeziut:

“Recidivisti përsëri në veprim.
Thotë që gjykata shton fjalë në tekstin e normës juridike. Pra, sipas recidivistit Enver Hasani, po jetojmë në epokën e republikave gjyqësore, ku parlamentet funksionin legjislativ e kanë thjesht inicues, sepse pjesën tjetër të punës e bëjnë gjykatat, duke i plotësuar normat juridike sipas nevojës.
Ah Enver, vërtet kam faj unë që kam heshtur, derisa ishim bashkë në Gjykatën Kushtetuese, e nuk të kam demaskuar me kohë për puçistin dhe improvizatorin që je.”