Ish-eprori i lartë i Ushtrisë Çlitimtare të Kosovës, dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari ka reaguar ndaj opozitës aktuale në Kosovë, të cilat për disa vite me radhë kanë udhëhequr me Qeverinë e Kosovës.
Miftari thotë se tash opozita, apo siç i quan ai ish-pushtetarët po sillen sikur mos të kishin udhëhequr me shtetin e Kosovës.
Ai thotë se, tash opozita po reagon për marrëveshjet e nënshkruara vet me Serbinë, siç është marrëveshja për energjinë e cila u aktualizua këto ditë.
“Një deputete e PDK-së e quan këtë marrëveshje si tradhti kombëtare. Kjo deputete është oponente e SHIK-ut, kurse kolegu i saj deputet del dhe thotë se këtë marrëveshje e kanë nënshkruar ata vet dhe thotë se është e mirë”, thotë Miftari.
Miftari thotë se këta zyrtarë e kanë pasur hisen e vet, përshkak se nuk është paguar rrymë në veri që nga viti 1999 e këndej.
Ai shprehet se po të njëjtit kanë plaçkitur qytetarët e Kosovës.
Miftari ka folur edhe për sondazhet e publikuara këto ditë.
“Sa i përket sondazheve dhe propagandës anti qeveri që disa ditë nuk heshtin duke hedhur vrerë dhe lajme të rreme e etiketime nga ana e medieve, nga OJQ që udhëhiqen e janë prona të Oligarkëve të PDK-së, AAK, LDK-së, NISMA-së e AKR, duhet me i kuptuar se lufta, etiketimet dhe propaganda po bëhet që mundësisht të kthehen në pushtet, atje ku janë tenderët, të vidhet aq sa duan pushtetin ish pushtetarët e PDK, LDK, AAK… sa që edhe me kallë krejt Kosovën e kallin e copëtojnë në krahina vendin tonë, nëse munden ose gjejnë mundësi me u kthye në pushtet prapë”, shton ai.
Ai thotë se këta ish pushtetarë e kanë hallin që ta ruajnë pasurinë e tyre.
“Ish pushtetarët, tash multi milionerët, e kanë hallin te ruajtja e pasurive qindra milionëshe të tyre, të fituara paligjshëm në kurriz të popullit më të izoluar dhe më të varfër në Evropë e më gjerë”, shprehet ai.
Prandaj, sipas tij, pastrimi i organeve të drejtësisë dhe ndjekjes duhet me qenë prioritet i kësaj qeverie.
“Qeveria Kurti duhet vetëm ta bëjë punën që ligjet e Kosovës të zbatohen njësoj për secilin dhe kudo, pa asnjë dallim në tërë Kosovën. Vetëm Sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik mund ta kthejnë shpresën e qytetarëve të Kosovës”, përfundon Naim Miftari.