Dëshmitari A2 për Banjskën: Terroristët priteshin me puthje nga familjarët

Dëshmitari i koduar si “A2”, ndonëse pritej që të paraqitej sot në Gjykatën e Prishtinës për dëshmi në rastin Banjska, ai mungoi.

Kështu, krejt seanca zgjati veç 10 minuta.

Kaq edhe iu ra të qëndrojnë në sallë të akuzuarve për sulmin terrorist të ndodhur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, Vlladimir Tolliqit, Bllagoje Spasojeviqit e Dushan Maksimoviqit.

Këtyre me shumë gjasë nuk do të iu pëlqente çka do të dëgjonin nga dëshmitari i mbrojtur, nëse do të vinte për dëshmi.

Po qe se i njëjti do të qëndronte prapa fjalëve të tij, të dhëna në Prokurorinë Speciale më 14 maj, i bie që do të jepte jo pak informacione për grupin e Millan Radoiçiqit, ku treshja e akuzuar bënte pjesë.

“A2”-shi kishte thënë në Speciale se derisa po ecte kodrave të kufirit Kosovë-Serbi, u ndesh me burra të uniformuar që po barteshin me vetura që ishin të “Mbrojtjes Civile”.

Njërin nga ta e njohu.

Sipas dëshmitarit sekret, në shtëpinë e Danillo Virijeviqit iu dha ndihmë mjekësore terroristëve që u plagosën në Banjskë e që kaluan matanë kufirit, para se t’i dërgojnë në spitalin e Novi Pazarit.

“A2” ishte i sigurt që në mesin e disa personave që i pa në Rashkë ishin edhe dy civilë të cilët ndihmuan grupin e që punojnë për Veselinoviqin dhe Radoiçiqin.

Ky i fundit tha se është organizatori i sulmit, por që tash ka ikur te një shtet mik me Serbinë, Rusi.

Grupi i Radoiçiqit ky tha se po ushtrohej një vit para agresionit në Banjskë, nga persona që sipas dëshmitarit punojnë në Ushtrinë e Serbisë nga Leshaku, Leposaviqi dhe Mitrovica.