‘Bakshishi’ marramendës që ka lënë Jeff Bezos në hotelin ku qëndroi në Venecia

Miliarderi Jeff Bezos, themeluesi i Amazon, është bërë sërish qendër e vëmendjes — këtë herë jo për ndonjë marrëveshje biznesi, por për një gjest bujarie.

Sipas gazetës italiane Il Gazzettino, Bezos ka lënë një bakshish prej 45.000 eurosh për stafin e një hoteli superluksoz në Venecia, ku ai dhe bashkëshortja e tij e re, Lauren Sanchez, qëndruan pas martesës së tyre madhështore.

Çifti u akomodua në një hotel me shtatë yje, dhe ndonëse vetë Bezos nuk ka konfirmuar lajmin, mirënjohja e stafit duket se flet vetë. Ky veprim u përshëndet nga punonjësit si një shenjë respekti dhe vlerësimi për shërbimin e tyre.

Në krahasim me shpenzimet kolosale të dasmës – që raportohet të ketë kapur shifrën e 30 milionë dollarëve – bakshishi mund të duket i vogël, por për shumëkënd është një dëshmi tjetër e jetës luksoze dhe stilit ekstravagant të çiftit Bezos-Sanchez.