Arrestimi i Popoviqit, Sveçla: Nuk lejojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se nuk do të lejojnë fyerje dhe përdhosje të historisë së Kosovës e aq më pak të Ushtrisë Çlirimtare (UÇK), pas arrestimit të ndihmësdrejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, të premten në pikën kufitare në Bërnjak.

Popoviq u arrestua pasi gjatë ditës në një ceremoni në Hoçë të Madhe e cilësoi UÇK-në si “organizatë terroriste”.

E në një shkrim në Facebook, Sveçla ka thënë se Popoviqi është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut dhe ndaj tij pritet të merren masa sipas ligjeve në fuqi.

“Dua të theksoj se Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe sovran. Ne as nuk kemi cenuar një shtet tjetër, as nuk kemi provokuar popullatën e një shteti tjetër dhe as nuk do të lejojmë veprime të tilla ndaj nesh. Nuk do te tolerojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë, e aq më pak të Luftës sonë Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare”, ka shkruar Sveçla.

Ministri në detyrë ka thënë se deklaratat e modelit millosheviqian janë të dënueshme sepse janë të pavërteta.

“Deklarimet e modelit millosheviqian, që administrata politike e Serbisë të drejtuar nga Vuçiq i mban ende gjallë dhe i shpërndan kudo, janë të dënueshme sepse janë përçarëse, të pavërteta sepse janë të trilluara, dhe të dëmshme sepse janë në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të fqinjësisë dhe shoqërive përparimtare”, ka shkruar ai.