Gazeta raportoi dje për arrestimin e një zyrtari të lartë policor në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, në një aksion të ndërmarrë nga njësitet speciale të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me agjenci të tjera shtetërore.
Bëhet fjalë për Bojan Jevtić, i cili mbante pozitën e zëvendëskomandantit dhe njëkohësisht të shefit të operativës në një nga strukturat policore në pjesën veriore të Kosovës.
Pas arrestimit, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur ndaj tij masën e paraburgimit prej një muaji, për shkak të dyshimeve për përfshirje në veprat penale “Spiunazh” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se: “Caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes, mund t’i shmanget procedurës penale dhe se i njëjti do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë, duke qenë se i njëjti dyshohet për vepër penale të një rrezikshmërie shumë të lartë përkatësisht për vepër penal spiunazhi, si dhe duke marrë për bazë faktin se ‘i njëjti cenon sigurinë kombëtare, jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës’.”.
Tutje, Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është i domosdoshëm për të parandaluar ndikimin në prova dhe dëshmitarë, si dhe për të shmangur përsëritjen e veprës penale.
“Gjykata po ashtu vlerësoj se nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsëris veprën e njëjtë penale ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda. Gjykata konsideron se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamajftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale.”.
Ndëkohë, gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit në një fshat të Kamenicës janë sekuestruar prova materiale siç janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtër, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë denarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore.