Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë lëshuar akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke i cilësuar veprimet e tij si shkelje të hapur të rendit kushtetues.
Ndërkohë që Kurti ndodhet në një vizitë zyrtare në Greqi, ish-opozita po e akuzon për neglizhencë të skajshme ndaj zhvillimeve të brendshme politike dhe për injorim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që njeh të drejtën e partisë fituese për të formuar shumicën parlamentare dhe qeverinë e re.
Duke e quajtur situatën një “pengmarrje politike” që po e dëmton funksionimin demokratik të vendit, deputetja e PDK-së Blerta Deliu ka thënë se afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit po i afrohet fundit, ndërsa nuk është bërë asnjë përpjekje serioze për ta respektuar atë.
“30 ditshi i përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të marrë fund brenda pak ditësh. Jemi në përfundim të kësaj faze, të cilës Gjykata Kushtetuese ia ak dhënë 30 ditor Kuvendit për tu konstituuar. Fatkeqësisht ende pas asnjë rezultat konkret. Ende me një pengmarrje politike dhe pa asnjë përpjekje serioze që Kuvendi i Kosovës të konstituohet. Për më keq kryeministri në largim Albin KurtI, në vend që të ishte ne Kuvend për të bërë përpjekje edhe njëherë, për t’i hapur rrugë krijimit të institucioneve të reja, konstituimit të Kuvendit, ai zgjodhi të ishte në Greqi. Ndërkohë Kuvendi dhe Kosova vazhdon të mbetet peng i arrogancës dhe mosgatishmërisë së partisë që ka marrë numrin më të madh te ulëseve për t’i hap rrugë krijimit të institucioneve të reja”, ka thënë Deliu.
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, në FIVE të Dukagjinit paralajmëroi për thellim të krizës kushtetuese.
“Faktikisht është shume e rëndësishme të mos futemi në një krizë tjetër edhe më të thellë kushtetuese, një paradoks politik, kur partia e parë nuk arrin përkundër faktit që ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese ta bëjë shumicën. Kjo është domosdoshmëri në kuptimin politike dhe juridik. Sepse i gjithë sistemi funksional i shtetit tonë është në rrezik, është i cenuar, është më pozicione të dyfishta, krejt jo kushtetuese. Për herë të parë në historinë e shtetit tonë, po cenohet rendi kushtetues, duke mos u marrë parasysh aktvendimet e Kushtetueses. Por duke vazhduar deputetët e betuar ta uzurpojnë qeverinë dhe të marrin vendime në emër të saj…”, ka thënë Lushaku.