Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj vendimit gjyqësor, për shpalljen fajtorë të dhjetë nga të akuzuarit në rastin e njohur si “Veteranët”.
Nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla ka thënë se OVL-UÇK e ka ndjekur me vëmendje vendimin e sotëm dhe shton se kjo organizatë ka qenë gjithmonë kundër përfshirjes së personave të pa merituar në listat e veteranëve.
Sipas Sylës, mbrojtja e statusit të luftëtarëve të vërtetë është çështje parimore për OVL-UÇK.
Ndërsa, Syla thekson se duket krejtësisht e pakuptimtë që njëkohësisht gjykata e dënon komisionin për verifikimin e veteranëve, dhe më pas i thotë qeverisë “verifikoni sërish 19.500 persona”.
“Ne kemi dyshime serioze që kjo qeveri në detyrë ka kompetencë ligjore apo politike për të ndërmarrë një proces kaq të rëndësishëm dhe të ndjeshëm. Rishikimi eventual i listave duhet të bëhet me kujdes të jashtëzakonshëm, me garanci të forta ligjore dhe morale, dhe assesi në mënyrë të njëanshme apo politike”, tha Syla për KP.