A duhet të armatosen shqiptarët? Moisiu: Nevojë urgjente për një strategji të përbashkët kombëtare

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka folur për situatën e sigurisë në rajon, duke vënë në pikëpyetje armatosjen e Serbisë.

Ai ka kërkuar gjithashtu një strategji të përbashkët kombëtare për mbrojtjen e Shqipërisë dhe Kosovës. Moisiu theksoi se Serbia po përfiton armë nga Rusia, Kina dhe vetë, pa pasur ndonjë rrezik real nga fqinjët.

“Serbia armatoset sa nga Rusia, Kina, por edhe vet. Lind pyetja, përse armatoset Serbia? Kush e rrezikon Serbinë? Askush nuk e rrezikon”, tha ish-presidenti.

Moisiu u shpreh se historia dhe migrimet sllave në rajon ndikojnë ende në mentalitetin politik.

“Bota sllave, një teori që në mesjetë dhe është e tillë. Po të shikosh dyndjet sllave… po të shikosh aty janë akoma”, vijoi ai.

Moisiu u shpreh edhe për shtetin e Kosovës, të cilin nuk e kishte përkrahur në momentin e krijimit.

“Erdhi koha dhe u krijua shteti i Kosovës, por unë për këtë nuk kam qenë dakord. Pse duhet të jenë dy shtete? Përbëjmë ndonjë rrezik ne shqiptarët? Ne nuk jemi shquar në historinë tonë për agresivitet”, shtoi ish-presidenti.

Ai nënvizoi nevojën për një strategji kombëtare mbrojtjeje të përbashkët me Kosovën dhe theksoi rëndësinë e mobilizimit të rezervistëve: “Ne duhet të kemi një strategji kombëtare për t’u mbrojtur, jo për të pushtuar të tjerët. Pa një lëvizje me Kroacinë, por nuk e do se çfarë u bë më tej. Një stërvitje të përbashkët nuk kam dëgjuar të bëhet më tej”.

Sipas ish-presidentit, duhet të kalojmë në sistemin e mobilizimit, jo me para, por rezervistët.

“Duhet të kemi një strategji domosdoshmërisht për t’u mbrojtur si komb”, tha gjithashtu Moisiu.

Teksa ka komentuar rolin e NATO-s, Moisiu ngriti dyshime për mbështetjen e aleancës në rast krize: “Ne themi në NATO, por tani çfarë nuk po dëgjojmë për nenin 5. Ne duhet të mendojmë për hesapin tonë. Nëse na vjen NATO, shumë mirë; nëse nuk vjen, duhet të mbrojmë veten”.