Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ua rikujtoi edhe një herë bazat kushtetuese kolegëve të tij parlamentarë nga radhët e VV-së, duke iu referuar aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Me tone të qarta e pa ekuivok, Gruda shpjegoi se rendi i ditës i seancës konstituive është i përcaktuar një herë e mirë në Rregulloren e Punës.Gruda u ndal te paragrafin 155 i aktgjykimit, ku sipas tij, Gjykata ka sqaruar se rendi i ditës i seancës konstituive është i përcaktuar qartë në nenin 8 të Rregullores së Punës së Kuvendit dhe nuk mund t’i hiqet asnjë pikë apo presje pa një mocion procedural.
“Dje, ministri i Financave tregonte një rend dite për votimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese me votë të fshehtë, duke e krahasuar me rendin e ditës të seancës konstituive. Por ajo ishte seancë plenare, ku rendi i ditës mund të ndryshohet. Në seancën konstituive, kjo nuk është e mundur pa mocion procedural,” deklaroi Gruda në “Pressing”.Ai theksoi se në paragrafin 178, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar qartë se neni 57 i Rregullores – i cili rregullon mocionet procedurale – nuk është i zbatueshëm për seancën konstituive.
“Çdo kërkesë për ndryshim të rendit të ditës duhet të mbështetet në ndonjë nen. Por kur je në seancë konstituive, nuk ka nen që ta mundëson këtë. Gjykata e ka bërë të qartë: rendi i ditës është i shkruar dhe vetëm duhet të lexohet,” tha ai.
Gruda shtoi se Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar gjithashtu se Kuvendi duhet të funksionojë në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e punës dhe praktikën e deritanishme parlamentare, ku votimi i hapur është norma.
“Praktika parlamentare e derisotme është votimi i hapur. Kjo përbën edhe përfundimin e Gjykatës: nuk ka bazë për votim të fshehtë në këtë rast,” përmbylli Gruda.
”Gjykata Kushtetuese, në paragrafin 155 të aktgjykimit të saj, ka thënë qartë që rendi i ditës i seancës konstituive është i përcaktuar qartë në Rregulloren e Punës së Kuvendit në nenin 8. Për me ndodh ndryshimi i rendit të ditës, duhet të ndodh ajo që ne e quajmë mocion. Në këtë rast, duhet të ndodhë një mocion procedural. Dje, ministri i Financave e kish marrë në dorë një rend dite që kanë zgjedh gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese me votë të fshehtë, thojke: ‘Shiko ku e kemi zgjedh’. Ai rend dite është i seancave plenare, ai mund të bëhet qysh t’duash.
Ky është i vetmi rend dite të cilit ti s’mund t’ia heqësh asnjë pikë, asnjë presje, sepse është i shkruar në rregullore. Për ta hequr qoftë edhe një presje, duhet me ndodh një mocion procedural. Ai mocion procedural, ka thënë Gjykata në paragrafin 178, është i përcaktuar në Rregulloren e Punës së Kuvendit në nenin 57. Por Gjykata ka thënë: neni 57 që flet për mocionet procedurale, nuk është i zbatueshëm për seancën konstituive. Na jemi në seancë konstituive. Pra, çdo veprim që e bën në Kuvend, kur të thotë Avni Dehari “hajde votojmë me votë të fshehur”, duhet të thotë: “Të nderuar kolegë, bazuar në nenin kaq…” Në cilin nen? Nëse thotë 57, Gjykata thotë se nuk të duhet ky nen, se ai është për seancat plenare. Këtu e ke rendin e ditës të shkruar, zotëri, dhe vetëm e lexon. Edhe thotë: pavarësisht që mbahet një takim para se të konstituohet Kuvendi, thotë ai është formal, sepse rendi i ditës është i shkruar në rregullore. Përfundimi i Gjykatës ka qenë ky: Kuvendi i Kosovës duhet të zgjidhet sipas Kushtetutës, Rregullores dhe praktikës së derisotme parlamentare. Shprehimisht. Praktika e sotme parlamentare është votimi i hapur. Pra, është shumë e qartë”, tha Gruda./Periskopi/