“Ma mirë të isha unë në vend të saj”, polici që e goditi për vdekje Zana Gjevukajn deklarohet nga para gjykatës

Në Gjykatën Themelore në Pejë u mbajt sot seanca ndaj zyrtarit policor Argjend Kastrati, i cili akuzohet për shkaktimin e një aksidenti trafiku me pasoja fatale ndaj këmbësores Zana Gjevukaj.

Ngjarja ndodhi më 1 prill 2025 në fshatin Qyshk të Pejës, kur viktima u godit nga vetura e drejtuar nga Kastrati, teksa po priste të kalonte rrugën në vijat e bardha.

Gjevukaj pësoi lëndime të rënda dhe u shtrua për trajtim intensiv në QKUK, ku pas 34 ditësh ndërroi jetë më 4 maj.

Gjatë seancës së sotme, Kastrati u shpreh i penduar para trupit gjykues dhe kërkoi falje publike për familjen e viktimës.

“Ma mirë të isha unë në vend të saj sot dhe shpreh keqardhje shumë të madhe”, tha ai në gjykatë.

Familja e të ndjerës nuk e ka pranuar kërkim faljen.

Që nga dita e aksidentit, i pandehuri ndodhet në arrest shtëpiak.

Ndërkohë, familja e të ndjerës ka reaguar publikisht, duke shprehur zhgënjimin e thellë me organet e drejtësisë. Ata theksojnë se masa e arrestit shtëpiak ndaj Kastratit nuk është ndryshuar, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se dy muaj nga vdekja e Zanës.

“Zana ndërroi jetë më 4 maj 2025, pasi u godit në vijat e bardha nga një zyrtar policor. Edhe pse kanë kaluar dy muaj nga vdekja e saj, masa ndaj të dyshuarit nuk është ndryshuar në paraburgim. Arresti shtëpiak për një rast me pasojë vdekje është i papranueshëm”, thuhej në reagimin e familjes.

Familjarët shprehin shqetësimin edhe për aktakuzën e ngritur ndaj Kastratit, për të cilën thonë se nuk pasqyron seriozitetin e rastit dhe nuk përfshin rrethanat rënduese.

“Zana u godit në vijat e bardha, nga një zyrtar policor që udhëtonte me shpejtësi të tejkaluar dhe pa asnjë frenim, siç dëshmon ekspertiza. Një veturë tjetër kishte ndalur për t’i dhënë përparësi, çka tregon se Zana ishte e dukshme dhe me të drejtë përparësie. Mospërfshirja e këtyre fakteve në aktakuzë e bën edhe më shqetësues trajtimin institucional të këtij rasti”.

Familja Gjevukaj theksonte me bindjen se “po të mos ishte i përfshirë një zyrtar policor, drejtësia do të kishte vepruar ndryshe”.