Tha se Arsenijeiq do të arrestohet, Elezi Sveçlës: S’ka nevojë për show, të isha prokuror,e kisha ftu në intervistim

Gjatë ditës së sotme, ministri në detyrë i Mbrojtjes dhe deputeti i VV-së, Xhelal Sveçla, tha se politikani serb Aleksandër Arseniejviq do të arrestohet posa të futet në territorin e Republikës së Kosovës.

Kjo si shkak i dyshimeve se bastisjet në fshatin Vallaq të Zveçanit, ku u gjetën raketahedhës dore (zolla), granata dore, tronblonë, armë dhe municion i llojeve të ndryshme në një objekt i përkasin politikanit Aleksandar Arsenijeviq.

Në rastet e tilla, sipas ekspertit të sigurisë, Bedri Elezi duhet pasur kujdes e aq më pak kur jepen nga pozita shtetërore.

“Për nga aspekti i sigurisë, unë personalisht i ndaj dy shqetësime: E para, një politikan i cili pretendon që është politikan progresiv, ka arsenal ushtarak e pajisje që janë pjesë e ushtrisë, dhe e dyta deklarata e ministrit të punëve të brendshme, i cili tha se do të arrestohet“, tha ai në emisionin “Gazeta”.

Kjo pasi, ato edhe mund të shfrytëzohen nga pala tjetër.

“Unë kujtoj që kjo deklaratë do ta ndihmoj shumë Arsinojeviqin për të thënë se i njëjti po ndiqet politikisht. Është policia e cila e interviston dhe prokurori ai që vendos për me arrestu. E kam thënë në të kaluarën dhe vazhdoj ta them: Duhet me pas shumë kujdes në deklaratat tona, nuk ka nevojë me bo show. Në një shtet normal, po të isha prokuror,e kisha ftu ministrin në intervistim nëse i njëjti ka pas qëllim me pengu drejtësinë“, shtoi ai.