“Serbia kërkon luftë”, analisti: Shqipëria dhe Kosova të përgatiten, na presin kohë të vështira

“Shqipëria dhe Kosova duhet të përgatiten për më të keqen, luftë kundër Serbisë, pasi të gjitha shenjat çojnë drejt këtij përfundimi”.

Kështu tha analisti Ben Andoni.

Ai tha se Serbia po e përdor paktin e arritur muaj më parë mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, për të çuar përparat agjendën e saj agresive.

“Kosova dhe Shqipëria do i gjendeshin njëra-tjetrës për çdo problem. Madje edhe kur ishte pjesë e Jugosllavisë, disidenca e tyre ka qenë pro shqiptarëve. Do të doja të ishte edhe Bullgaria, sepse është një vend që i ka treguar dhëmbët Serbisë. Uroj që vendet tona ta shikojnë Serbinë ashtu siç është. Serbia ka një ushtri shumë potente. Besoj që na presin kohë shumë të vështira dhe deri në momentin që Serbia të pranojë realitetin që Kosova është shtet i pavarur, ne duhet ta llogarisim jo thjesht incidente si Banjska, por edhe gjëra më të përshkallëzuara”, tha Andoni.

Sipas tij, edhe sulmin terrorist në Banjskë, e mbyllën njerëzit e KFOR-it.

“Me gjithë respektin që kam për ata, Forcat e Sigurisë të Kosovës janë shumë të limituara para ushtrisë serbe. Rreziku jo vetëm është eminent, por gjithmonë e më shumë ata po e tregojnë hapur. E ç’është më e keqja, edhe pala amerikane shpreh një lloj nostalgjie për bombardimin e Serbisë. Më parë me ambasadorin Hill dhe më pas me djalin e Presidentit Trump. Kosova humbi në këto vite një gjë që do të jetë shumë e vështirë ta rikuperojë”, u shpreh Andoni.