“E merituam një fitore”, Mirlind Daku i bindur: Kishim 2/3 raste të mira

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku, ka folur për ndeshjen e sotme ndaj Serbisë e cila u mbyll me rezultat 0-0.

Daku në një intervistë për Klan Kosovën tha se është ndje mirë dhe se lëndimin që e ka pasur më herët s’e ka ndjerë shumë nga dëshira e madhe për ta luajtur këtë ndeshje.

Ai u shpreh se duke i parë shanset e Shqipërisë sonte dhe ato të Serbisë, ndeshja është dashur të fitohej, por që fati tha se nuk ishte me ta.

“Thënë të drejtën, duke i parë shanset tona dhe të kundërshtarit, besoj që është dashur ta fitonim këtë ndeshje, por s’e patëm fatin me ne. Edhe te penaltia edhe te 2-3 raste po të ishim më sy hapur do arrinim të fitonim. E dhamë atomin e fundit në ndeshje dhe besoj që është gjithçka mund të japim për një ndeshje”.

“Pritja e tifozëve më është dukur shumë mirë. Jo vetëm sot, por çdo ndeshje më presin sepse e dinë që e jap atomin e fundit në lojë. Kjo më bën të ndihem shumë mirë në aspektin e motivimit sa nuk mund ta prisja Sylvinhon kur të ma bëjë me dorë që të futem në ndeshje”, tha Daku, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se pas tri ditësh do të ballafaqohen me Letoninë dhe duhet të bëjnë çmos që ta fitojnë këtë ndeshje.

“Serbia s’na ka mposhtur as nuk i kemi mposhtur dhe do të luftojmë deri në fund për objektivin tonë kryesor për ta arritur këtë Botëror”, tha ai.