Kryetarja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova, komentoi procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe protestën e veteranëve që pengoi konferencën e saj në Prishtinë.
Ajo theksoi se “nuk mund të toleroj dhunën gjatë një konference për media që ka për qëllim të informojë popullin e Kosovës në mënyrë të hapur për ne”.
Sipas saj, kjo “armiqësi shpjegon dhe përligj më tej arsyen pse Kosova dhe BE-ja bënë marrëveshje që këto gjykime të kryheshin jashtë Kosovës“.
Duke iu përgjigjur kritikave për procesin, Trendafilova deklaroi se “gjykata po administron drejtësi në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të pavarur”, dhe theksoi se “nuk qëndrojnë akuzat për padrejtësi“.
Ajo shpjegoi edhe arsyet për refuzimin e kërkesave për lirimin e përkohshëm: “Gjykatësit morën vendime në bazë të vlerësimit nëse ekzistonte rreziku i arratisjes, i ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve ose i kryerjes së veprave të tjera penale“.
Në lidhje me natyrën e gjykimit, kryetarja theksoi: “Dhomat e Specializuara vënë para përgjegjësisë vetëm individë, jo organizata”.
Për përfundimin e gjykimit, ajo u shpreh se “është ende herët të parashikohet se kur do të shqiptohet aktgjykimi“, ndërsa mocioni për rrëzimin e akuzave u shty për shkak të provave të reja të Prokurorisë.