Pas përfundimit të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila u mbyll me rezultatin 0-0 në stadiumin “Air Albania”, mediat serbe kanë qenë jashtëzakonisht “kreative” dhe dramatike në raportimin e tyre.
Me tone të ashpra, ekzagjerime dhe një frymë viktimizimi, ato kanë pasqyruar ndeshjen si një skandal të madh dhe si një ngjarje jashtë kontrollit.
Portali Kurir e përshkroi ndeshjen me terma si “terror”, “skandal” dhe “sulm ndaj lojtarëve serbë”. Madje, gjestin fëminor dhe të pafajshëm të fëmijëve që formuan me duar simbolin e shqiponjës dykrenare gjatë intonimit të himnit, e quajti “shfaqje urrejtjeje” dhe “tmerr që i frikësoi të gjithë”.
Një nga titujt kryesorë të këtij portali ishte:
“Futbollistët serbë mezi shpëtojnë jetët e tyre në Tiranë: Një ndeshje skandaloze që duhej të NDALOHEJ!”, ndërsa theksonin se portieri Gjorgje Petrović “na solli një pikë kundër Shqipërisë”.
Ndërkohë, Blic e quajti atmosferën një “ferr të vërtetë”, duke pretenduar se tre herë futbollistët serbë “u goditën në kokë”, dhe se gjyqtari italian Davide Massa nuk pati “guxim” të ndërpriste plotësisht ndeshjen. Për mediat serbe, skandal ishte edhe fakti që para ndeshjes disa fëmijë shfaqën shqiponjën dykrenare – simbol kombëtar shqiptar.
E gjithë kjo retorikë dramatike vjen ndërkohë që shumëkush kujton me ironi faktin se mediat serbe duket se kanë harruar shpejt ngjarjet e ndeshjes së famshme në Beograd, 11 vite më parë. Atëherë, dhuna ndaj futbollistëve shqiptarë solli ndërprerjen e ndeshjes dhe vendimin zyrtar për fitoren e Shqipërisë 0-3 në tavolinë.