Presidenca “kapet” me Prokurorinë Speciale për kërcënimet ndaj Osmanit

Gjatë ditës së premte, nga Presidenca e Kosovës thanë se ende nuk është caktuar prokurori për t’i hetuar kërcënimet ndaj Presidentes Vjosa Osmani.

Ndërkaq në orët e vona, nga Prokuroria Speciale thanë se prokurori është caktuar qysh të enjten, kur edhe kanë marrë njoftimin nga Policia e Kosovës për rastin e kanosjes ndaj Presidentes.

E pas njoftimit të PSRK-ja, erdhi sërish një reagim nga Presidenca e Kosovës, duke thënë se të enjten pranuan një njoftim zyrtar nga Policia e Kosovës, ku u është thënë se ende janë në pritje të caktimit të prokurorit për rastin e mesazheve kërcënuese ndaj presidentes Vjosa Osmani.

Bekim Kupina, këshilltar për media i Osmanit ka deklaruar se nëse është caktuar prokurori, atëherë pse nuk është njoftuar Policia e Kosovës.

“Institucioni ynë, më 22 maj 2025, ka pranuar njoftim zyrtar nga Policia e Kosovës, me të cilin konfirmohet, nga ana e Policisë, se përkundër faktit se ata ende janë në pritje të caktimit të prokurorit për këtë rast dhe se përkundër që policia dy herë ka qenë në PSRK vetëm gjatë ditës se djeshme, na është përcjellë se deri në atë moment nuk është caktuar asnjë prokuror”.

“Prandaj, nëse vërtetë qenka caktuar prokurori, siç potencohet në këtë reagim, pyetja që shtrohet është pse për një gjë të tillë nuk e kanë njoftuar Policinë e Kosovës”, tha Kupina.

I njëjti pohoi se transparenca dhe veprimi i menjëhershëm në rastin si të presidentes Osmani nuk janë opsione, por detyrime ligjore.

“Kjo pasi që bëhet fjalë për një rast me ndjeshmëri të lartë institucionale, mosreagimi në kohë reale dhe tentimet për shmangie nga përgjegjësia përbën dështim institucional dhe cenim të rendit kushtetues”, theksoi Kupina.

Prokuroria Speciale ndërkaq tha se rasti do të trajtohet me prioritet.

“Për më shumë, pas pranimit të informacionit nga Policia e Kosovës, në lidhje me rastin në fjalë, Prokurori kujdestar nga Prokuroria Speciale, ka autorizuar njësitë kompetente të Policisë se Kosovës për të vepruar menjëherë në drejtim të identifikimit dhe zbulimit të autorit/ve të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale”.

“Ndërsa, të enjten kur edhe është pranuar raporti policor në lidhje me veprimet fillestare, menjëherë është caktuar prokurori përgjegjës nga Prokuroria Speciale dhe rastin do ta trajtoj me prioritet të lartë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të siguruar zbardhjen e plotë të çështjes dhe ndëshkimin e përgjegjësve të këtyre akteve”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Të enjten e kaluar, nga Presidenca erdhi njoftimi për një kërcënim me jetë në drejtim të Presidentes Vjosa Osmani, të cilin e para e shtetit e kishte pranuar përmes adresës elektronike zyrtare të Presidencës.