Ata nuk mbajnë stetoskop dhe nuk veshin përparëse të bardha, por parukierët dhe berberët mund të luajnë një rol jetik në zbulimin e hershëm të kancerit të lëkurës, sipas një studimi të ri britanik.
Hulumtimi, i publikuar në revistën Skin Health and Disease dhe i realizuar nga Universiteti i Portsmouth, zbulon se parukierët janë shpesh ndër të parët që vërejnë shenja të dyshimta në lëkurë, veçanërisht në skalpin, qafën dhe fytyrën, zona që klientët rrallë i shohin vetë në pasqyrë, por që janë në fokus të përditshëm për këta profesionistë.
Kanceri i lëkurës është një nga format më të zakonshme të kancerit në botë. Karzinomat me qeliza bazale dhe ato me qeliza skuamoze, që përbëjnë rreth 90% të rasteve, kanë një prognozë shumë të mirë nëse zbulohen herët.
Në vende si Franca, raportohen mbi 70,000 raste të reja në vit, duke theksuar urgjencën për zbulim dhe trajtim të hershëm
Pikërisht për këtë arsye, roli i berberëve mund të jetë më shumë se estetik, ai mund të jetë jetëshpëtues.
Në studimin e zhvilluar në qytetin Portsmouth të Mbretërisë së Bashkuar, morën pjesë 37 parukierë dhe berberë. Rezultatet treguan një ndërgjegjësim surprizues për këtë rol të heshtur që ata luajnë në kujdesin shëndetësor:
-24% e tyre shqyrtojnë rregullisht lëkurën e klientëve për shenja të pazakonta;
-1 në 3 ka njoftuar të paktën një klient për një nishan apo shenjë të dyshimtë;
-39% e klientëve që morën këtë paralajmërim u diagnostikuan më pas me kancer të lëkurës.
“Berberët janë në një pozicion ideal për të vënë re ndryshime në lëkurë që njerëzit rrallë i shohin në pasqyrë,” deklaroi Helen Fleming, udhëheqësja e studimit. “Me një trajnim të thjeshtë, ata mund të bëhen një hallkë kyçe në zinxhirin e diagnostikimit të hershëm.”
Studimi vë në dukje potencialin e madh që ka ky sektor, shpesh i lënë jashtë fushatave të ndërgjegjësimit shëndetësor, për të kontribuar në parandalimin dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve serioze, siç është kanceri i lëkurës.
Rezultatet e hulumtimit përforcojnë idenë se kujdesi për shëndetin nuk kufizohet vetëm në ambientet mjekësore. Nga një thikë flokësh në duar, në një sy të mprehtë për shenja të pazakonta, parukierët dhe berberët mund të ndihmojnë realisht në shpëtimin e jetëve, mjafton të kenë informacionin dhe trajnimet e nevojshme për të vepruar në kohë. Syri.net-iefimerida