Kurti vite më parë kur vonohej formimi i institucioneve: Partia në pushtet ka dështuar ta bëjë shumicën, s’lejojmë të dështojë shteti

Për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja janë fajtore për moskonstituimin e Kuvendit.

Duke insistuar në propozimin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, ai konsideron se është në të drejtën e tij dhe se partitë tjera thjesht duhet ta votojnë atë, pavarësisht se këtë LVV-ja nuk e kishte bërë asnjëherë më parë.

Vite më parë, kur PDK-ja kishte dalë e para në zgjedhje dhe po përpiqej ta bënte Qeverinë, Kurti thoshte se “nuk do të ketë Thaçi 3”, pasi atëherë partia në pushtet kishte dështuar ta bënte shumicën.

“Kur patëm thënë që nuk do të ketë Thaçi 3, pak njerëz kanë besuar në Kosovë. Mirëpo po bëhen gati katër muaj që partia në pushtet nuk mundet, që partia në pushtet ka dështuar, por ne nuk mund të lejojmë që me dështimin e partisë në pushtet, të dështojë edhe shteti ynë, të dështojë Republika jonë”, deklaronte atëherë Kurti.

Në rrethana të njëjta, por në një situatë kur partia në pushtet tash është LVV-ja e tij, Kurti po ua hedh fajin partive tjera për moskonstituimin e Kuvendit dhe mosformimin e Qeverisë së re edhe mbi tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.