Gjuriq: Serbia është peng i regjimit të Kurtit, ngecja në dialogun me Kosovën pengon integrimin në BE

Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq, ka deklaruar se arsyeja kryesore pse Serbia nuk është e para në listën e vendeve kandidate për integrim në Bashkimin Evropian është politika e jashtme “e pavarur” që ndjek vendi, si dhe ngecja në dialogun me Kosovën, ku “Serbia është peng i sjelljes së regjimit të Kurtit”.

I pyetur për rrugën e integrimeve evropiane, reformat, kushtet dhe mundësinë e përshpejtimit të tyre, Gjuriq ka thënë për televizionin serb “Blic TV” se arsyet pse Serbia ende nuk është anëtare e BE-së dhe pse nuk është në krye të listës së vendeve kandidate “nuk lidhen me cilësinë e reformave apo forcën e ekonomisë serbe”.

“Arsyet pse nuk na përkëdhelin si “nxënësin më të mirë” janë të natyrës gjeopolitike. Sepse ne kemi një politikë të jashtme të pavarur, sepse kemi marrëdhënie edhe me Lindjen edhe Perëndimin. Një arsye e rëndësishme është edhe gjendja e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, ku Serbia është peng i sjelljes së regjimit të Kurtit dhe gjithçkaje që ata bëjnë për të dështuar dialogun. Besoj se Serbia ka një vend të rëndësishëm në tryezën e BE-së”.

“Jemi të pozicionuar strategjikisht në zemër të Evropës Lindore, kemi tetë fqinj dhe jemi në mënyrë natyrore të pozicionuar për të pasur ndikim të madh. Si anëtare, mund të kontribuojmë që politika evropiane të orientohet drejt vendeve me të cilat Serbia ka marrëdhënie të shkëlqyera, e këto janë shtetet afrikane”, ka pretenduar shefi i diplomacisë serbe.

I pyetur nëse ekziston një mënyrë për të mbyllur Kapitullin 35 që ka të bëjë me Kosovën, ai ka thënë se kjo qeveri ka dëshirë dhe detyrim të luftojë për ruajtjen dhe përmirësimin e pozitës së serbëve në Kosovë.