Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka reaguar pas dështimit të 18-të për konstituimin e Kuvendit, duke e quajtur situatën një krizë serioze kushtetuese dhe institucionale që nuk mund të zvarritet më.
Ai për këtë situatë ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje e cila është partia më e madhe për nga numrat.
“Është për të ardhur keq dhe për t’u turpëruar se si mazhoranca ende nuk po kupton që qytetarët ia kanë dhënë besimin për të qeverisur me përgjegjësi – jo vetëm për të zbatuar politika dhe reforma, por edhe për të zgjidhur me urgjencë problemet institucionale kur ato shfaqen. Moskonstituimi i Kuvendit është një krizë serioze kushtetuese dhe institucionale, dhe zgjidhja e saj nuk mund të vonohet më. Ky është një problem që kërkon përgjigje të menjëhershme dhe vendimmarrje të guximshme – e para dhe mbi të gjitha nga mazhoranca”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Ai ka theksuar se në vend të marrjes së përgjegjësisë, VV-ja po e trajton këtë proces si një lojë të brendshme force.
“Nëse kandidatja e propozuar për kryetare Kuvendi nuk gëzon konsensus ose krijon përplasje politike, atëherë ajo është dashur të tërhiqet menjëherë për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje të re dhe funksionale”, ka shtuar ai.
Sipas Pacollit, mazhoranca nuk mund të fshihet pas alibive politike, pasi është ajo që mban përgjegjësinë për zgjidhjen e kësaj krize.
Pacolli ka bërë thirrje që mazhoranca të tregojë guxim politik dhe të veprojë me urgjencë për të zgjidhur ngërçin.