As përpjekja e 14-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk rezultoi me sukses, pasi mungoi konsensusi për zgjedhjen e kryetares së re të Kuvendit.
Ish-partitë opozitare vazhdojnë të kundërshtojnë kandidaturën e Albulena Haxhiut si dhe procedurën e votimit të fshehtë, të cilën e cilësojnë si shkelje ligjore dhe kushtetuese.
Pas përfundimit të seancës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, akuzoi qeverinë dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për bllokim të institucioneve.
“Me 9 shkurt qytetarët e Kosovës kanë treguar nivel të lartë të pjekurisë, ajo që po bën Albin Kurti është e kundërta e kësaj, po vazhdojnë ta mbajnë shtetin peng për Albulena Haxhin e cila nuk ia ka votat. Se Albulena Haxhiu për Kurtin është më e rëndësishme se 1 milion qytetarë të Kosovës tashmë është e ditur. Albin Kurti nuk i ka numrat për kryeministër dhe po na mban peng këtu në Kuvendin e Kosovës çdo dy ditë”, deklaroi Krasniqi.
Në të gjitha tentimet, Albulena Haxhiu nuk ka arritur të sigurojë më shumë se 57 vota, ndërkohë që për zgjedhje i nevojiten 61.