Vendimi i Big Bastës largon Ronin nga ‘Ferma VIP’, shpërthen Big Mama

Spektakli “Ferma VIP” po bëhet çdo javë më i paparashikueshëm. Këtë të hënë, publiku dhe një vendim i pazakontë i Big Bastës sollën eliminimin e radhës në fermën më të komentuar në Shqipëri – dhe i larguari ishte Roni.

Ndryshe nga netët e tjera të nominimeve, këtë herë ishte Luana ajo që, me vendim të Agait, lexoi emrin e fermerit më të votuar nga publiku. Dhe surpriza ishte e madhe: më i votuari rezultoi të ishte Big Basta.

 

Ky rezultat i dha atij një fuqi vendimtare – mundësinë për të zgjedhur mes buxhetit të plotë për të gjithë fermerët apo shpëtimit të Ronit, i cili ishte më pak i votuari nga publiku.

Në skenë u krijua një moment i tensionuar, ku u kërkua një vendim i menjëhershëm. Pas një reflektimi të shkurtër, Big Basta vendosi të mos e shpëtonte Ronin dhe të merrte buxhetin 100%, duke justifikuar zgjedhjen me nevojën që kishte grupi për të pasur mjete dhe kushte më të mira në fermë.

 

Vendimi i tij shkaktoi reagime të ashpra, veçanërisht nga Big Mama, e cila nuk i kurseu akuzat ndaj tij, duke e konsideruar vendimin e Bastës si të padrejtë dhe të pamëshirshëm.

Në fund, me fuqinë që i jep AGAI pas eliminimit, Roni pati mundësinë të ndikojë në vazhdimësinë e lojës dhe zgjodhi Yllin si kryefermerin e radhës.