Pas dështimit të katërt për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se nëse partitë e deritashme opozitare refuzojnë konstituimin e Kuvendit atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.
Sipas saj, propozimi për të parin e Kuvendit i takon Lëvizjes Vetëvendosje.
“VV-ja e ka dhënë qartë qëndrimin e saj, ka mungesë të vullnetit që të konstituohet Kuvendi. Ne jemi gati shumë të gatshëm të presim partitë, të flasim me to për datën e zgjedhjeve. Nëse refuzojnë ta konstituojnë Kuvendin, atëherë është e qartë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje… Kushtetuta e Kosovës e parasheh se duhet të jenë 61 vota për kryetarin e Kuvendit njësoj vlen edhe për nënkryetarët e Kuvendit. Nëse ata refuzojnë propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje atëherë ku do t’i marrin ata 61 vota për ta votuar nënkryetarin ”, tha Haxhiu.
Zgjedhjet i përmendi edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi duke thënë se LVV-ja qëllimshëm po e bllokon formimin e institucioneve të reja. Sipas tij, ajo duhet të propozoj një kandidat tjetër për kryeparlamentar teksa përmendi në mënyrë ironike disa prej tyre.
Akuzave për bllokim të konstituimit të Kuvendit iu përgjigj kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari, duke hedhur fajin tek partitë që votuan kundër.. Sipas saj bllokimi i Kuvendit nuk mund të shkojë në pafundësi dhe se zgjedhjet janë opsioni i fundit.
“Është e paraparë edhe me Kushtetutën e Kosovës se 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor është e paraparë që të konstituohet Kuvendi. Ai 30 ditësh është ditën e diele, më 27 prill. Apo nëse e shohim me ditë kalendarike një pas një, mund të jetë nesër. Marsi i ka pasur 31 ditë, prandaj kjo situatë nuk është se mundet të shkojë tërësisht në pafundësi, mund të sjell në një rrethanë krejtësisht tjetër ku diskutimi i përbashkët me subjektet politike po afrohet gradualisht një datë tjetër e zgjedhjeve”, tha Kusari-Lila.
Nënkryetarja e LDK-së, deputetja Doarsa Kica ndërkaq tha se nuk po sheh gatishmëri nga Vetëvendosje për konsensus dhe zgjidhje të situatës duke potencuar se LDK-ja nuk mund të bëjë kompromis për një figurë e cila është e papranueshme për të.
“Ka parti të tjera politike që duken të gatshme të krijojnë një konsensus të tillë politik. Nuk kam parë ndonjë përafrim apo gatishmëri nga partia fituese që të bisedoj me ato parti politike të cilat janë të gatshme për një konsensus të tillë… Lëvizja Vetëvendosje duhet të kuptoj që kryekuvendari duhet të jetë përfaqësues i denj i Kuvendit të Kosovës jo përfaqësues politik. Dhe mendoj se këta po e dëshmojnë në vazhdimësi edhe përmes përfaqësuesit teknik Dehari që nuk i kanë të qarta rolet në Kuvendin e Kosovës. Mua më vjen keq që situata është e tillë qytetarët presin megjithatë që institucionet të themelohen sa më shpejt, por duhet ta mirëkuptojnë qëndrimin e LDK. Nuk mund të bëjë kompromise për një figurë që për ne është e papranueshme duke pas qasjen e saj ndaj vetë institucionalizmit dhe shtyllave demokratike të Kosovës”, thotë ajo.
Ndërsa përfaqësues të AAK-së thanë se aktualisht mungon një strategji për zgjidhjen e ngërçit të krijuar.
“Kjo pesha më e madhe e fajit prej këtyre që i kanë 42 vota plus me aleatët e vetë tash popullit të Kosovës po i them ashtu siç keni votuar atij që ia keni dhënë shumicën mendoj se edhe kryetari i parlamentit me u zgjedh ashtu siç kanë votuar populli i Kosovës dhe nuk mundemi ne me ndryshuar. Për besë unë jam tu këqyr edhe Fitore Pacollin e kisha votu. E kisha votuar edhe ndonjë tjetër, i ka pas do probleme me mexha…Unë jam goxha praktikë, është kushtetuese iu takon atyre, çka po më intereson me ua rregullu imazhin VV-së. Le te konsumon Albin Kurti formimin e qeverisë. Për besë të dielën nuk di a marrë pjesë”, tha ai.
Përpjekjet për konstituim të Kuvendit kanë nisur që nga 15 prilli. Deri më tani kanë kaluar vetëm dy pika që çojnë drejt konstituimit të plotë, votimi i raportit për verifikim të mandateve si dhe betimi i deputetëve.