Ish-luftëtari i UÇK-së dhe ish-deputeti i Kosovës, Gani Geci ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për sjellje dhe qasje të ngjashme me atë të Hashim Thaçit ndaj familjes së tij.
Në një deklaratë të fortë, Geci e ka quajtur veprimin e Kurtit, të datës 08.10.2024, si sulm të pabazuar dhe të pavërtetë, duke theksuar se kjo sjellje përbën një vazhdimësi të asaj që familja e tij ka përjetuar për më shumë se dy dekada nga Hashim Thaçi.
“Hashim Thaçi, për 20 vjet, ka përdorur një kushëri tonin kundër nesh dhe është dashur të kalojnë dy dekada që ai të kërkojë falje publike për gënjeshtrat e tij. Tani po e shohim të njëjtën lojë edhe nga Albin Kurti,” ka deklaruar Geci.
Më tej, ai ka zbuluar se më 09.10.2024, familja e tij i ka dërguar një kërkesë zyrtare Kurtit, e nënshkruar nga Halil Geci, duke i kërkuar atij të kërkojë falje publike për shpifjet dhe të pavërtetat që, sipas Gecit, janë publikuar kundër familjes së tij.
Në një ton të prerë, Geci ka paralajmëruar se shumë shpejt do të publikojë edhe kërkesat e LVV-së, pas zgjedhjeve të 09 shkurtit 2025, ku sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar nga ai që të bëhej pjesë e pazareve politike nëpër zyrat e tyre, ashtu siç kishte vepruar më herët Hashim Thaçi duke blerë vota të deputetëve në errësirën e natës.
“Prandaj, kam thënë gjithmonë: PDK-ja dhe LVV-ja janë një brumë politik,” theksoi Geci në përfundim të reagimit të tij të fuqishëm.
Shkrimi i plotë:
Të dashur miq,
Që nga data 08.10.2024, Albin Kurti ka marrë një qëndrim pothuajse të ngjashëm me atë që ka mbajtur Hashim Thaçi ndaj familjes sonë.
Për 20 vjet me radhë, Hashim Thaçi ka përdorur një kushëri tonin kundër nesh. Pas 20 vitesh, Hashim Thaçi është detyruar të kërkojë falje publike për gënjeshtrat dhe poshtërsitë e tij kundër nesh.
Tashmë, po shohim veprime të ngjashme edhe nga Albin Kurti.
Më datë 09.10.2024, në emër të familjes, i kemi dërguar një kërkesë zyrtare Albin Kurtit. Kërkesa është nënshkruar nga anëtari më i vjetër i familjes sonë, Halil Geci.
Derisa Albin Kurti të mos kërkojë falje publike për të pavërtetat që ka publikuar më 08.10.2024, unë, Gani Geci, këtë farë Albin Kurtin do ta konsideroj si vazhdimësi të qasjes së Hashim Thaçit ndaj familjes sonë.
Së shpejti do t’i publikoj edhe kërkesat e LVV-së pas zgjedhjeve të 09 shkurt 2025 që unë të shkoj në zyrat e zyrtarëve të LVV-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të bërë pazare për llogari të LVV-së, ngjashëm siç bënte pazare Hashim Thaçi që blinte vota të deputetëve natën për interesat e tij politike dhe për pushtet.
Prandaj, unë kam thënë gjithmonë se PDK-ja dhe LVV-ja janë një brumë politik.