Gazetari Nehat Shaqiri me reagim të ashpër: Politikanët tanë, fytyra e vërtetë e etjes për pushtet dhe pasuri!

Gazetari i njohur Nehat Shaqiri ka reaguar ashpër ndaj klasës politike, duke i cilësuar politikanët si individë të etur për pushtet, pa ndjenjën më të vogël të përgjegjësisë ndaj qytetarit.

Në një reagim plot revoltë, Shaqiri thekson se vendi është kapluar nga një model i shëmtuar politik, që prodhon ndasi, varfëri, padrejtësi dhe pasiguri.

Sipas tij, politikanët zbulojnë fytyrën e tyre të vërtetë sa herë që preken interesat personale, ndërsa urrejtja ndaj çdo zëri kritik është shndërruar në një kërcënim të hapur për shoqërinë.

“Ku duhet të kishte vizion, drejtësi dhe përkushtim për vendin, sot gjejmë vetëm mllef, urrejtje dhe etje për pasuri,” shprehet Shaqiri, duke shtuar se pushtetarët e përdorin forcën politike vetëm për të mbrojtur privilegjet personale, ndërsa qytetarët mbesin të pambrojtur dhe të varfër.

Gazetari thekson se edhe pas ndërrimit të figurave politike, sjellja e tyre mbetet e pandryshuar: kush nuk është me ta, shahet, fyhet dhe margjinalizohet.

Ai e përshkruan realitetin si “të dhimbshëm”, ku vetëm pushtetarët dhe oligarkët jetojnë mirë, ndërsa qytetari i zakonshëm është shndërruar në një statistikë pa zë.

“Një vend i rrëmbyer nga etja për pushtet dhe pasuri, ku njeriu i zakonshëm është vetëm numër, jo prioritet,” përfundon reagimin e tij Shaqiri.

Shkrimi i plotë:

Politikanë të tmerrshëm…

Në vazhdimësi kemi votuar njerëz të gabuar, individë të etur për pushtet, që nuk kanë as ndjenjën më të vogël të përgjegjësisë për qytetarin. Urrejtja e tyre ndaj kujtdo që guxon të mendojë ndryshe është bërë një kërcënim i hapur për të gjithë ne, njerëzit e zakonshëm.

Politikanët tanë e zbulojnë fytyrën e vërtetë sa herë që preken interesat e tyre personale. Aty ku duhet të kishte vizion, drejtësi dhe përkushtim për vendin, gjejmë vetëm mllef, urrejtje dhe etje për pasuri. E vetmja fuqi që zotërojnë këta individë është ajo politike, dhe e përdorin pa mëshirë për të mbrojtur privilegjet e veta, jo interesin publik.

Dikur i kishim të tjerë, sot kemi një grup tjetër, por sjellja mbetet e njëjtë: kush nuk është me ta, shahet, fyhet, margjinalizohet. Shoqëria jonë po helmatiset çdo ditë nga ky model i shëmtuar politik, që ka prodhuar vetëm ndasi, varfëri, padrejtësi dhe pasiguri.

Ata që kanë qenë dje në pushtet kanë mbushur xhepat me miliona, dhe këta të sotmit, as që e fshehin më synimin e tyre — duan të arrijnë të njëjtin nivel, në kurriz të popullit. Po të kishin vërtet interesin e qytetarit në zemër, sot do të jetonim ndryshe: me më shumë dinjitet, siguri dhe mirëqenie.

Por realiteti është i dhimbshëm: varfëri ekstreme, padrejtësi, vrasje, vetëvrasje, një shtet i rrezikshëm dhe i pashpresë për qytetarin e thjeshtë. Këtu mirë jetojnë vetëm pushtetarët dhe biznesmenët e fuqishëm, të cilët janë rritur dhe pasuruar falë lidhjeve me këta politikanë.

Kjo është e vërteta e dhimbshme e një vendi të rrëmbyer nga etja për pushtet dhe pasuri, ku njeriu i zakonshëm është bërë vetëm statistikë.