Behrami i ashpër me Gjykatën Specialen: E paska rikthyer kohën e Millosheviçit

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, e ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale, e cila në një dokument të saj i është referuar Kosovës si “Kosova dhe Metohija”.

Ai ka bërë me dije se me këtë referim kjo gjykatë ka kthyer kohën e ish-diktatorit serbe Sllobodan Millosheviq.

Në profilin e tij në “Facebook”, ia ka shkruar se Speciales nuk i mjafton fakti që nuk ka asnjë simbol të Kosovës.

“Prokurorisë së Gjykatës Speciale nuk i ka mjaftuar që është shërbyer me dezinformata, dokumente të falsifikuara dhe dëshmi të rreme nga Serbia! Nuk i ka mjaftuar që aty s’ka flamur, s’ka emblemë, s’ka shenja të shtetit të Kosovës. E paska rikthyer kohën e Millosheviçit, duke ringjallur frazën fashiste, “Kosova dhe Metohija”. Duket se aty punojnë dy lloje të njerëzve: burokratë ndërkombëtarë që udhëhiqen nga mendësia e Serbisë dhe, ndoshta, zyrtarë të shtetit serb të punësuar si burokratë!”, ka shkruar Behrami.